Një video e postuar në mediat sociale tregon burra palestinezë dhe të paktën dy fëmijë të arrestuar dhe të zhveshur nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit në një stadium në Rripin verior të Gazës. Sipas gjeolokacionit të kryer nga CNN, videoja është xhiruar në stadiumin Yarmouk në qytetin e Gazës, ku OJQ-ja Euro-Mesdhetare “Human Rights Monitor” tha se kishte marrë raporte për ndalime.
Video tregon dy djem të rinj të zhveshur me të brendshme, duke ecur dhe duke mbajtur të dyja duart lart, ndërsa IDF i drejton në stadium.
Një klip video tregon të njëjtët djem të rinj të zhveshur me duart mbi kokë, teksa janë të rreshtuar me meshkuj të tjerë që duken të jenë adoleshentë dhe të rritur.
Klipet e videos tregojnë gjithashtu gra dhe fëmijë të tjerë të arrestuar. Në një fotografi, tre gra të veshura plotësisht shihen me sy të lidhur, me duar të lidhura pas shpine, teksa ulen në bar përpara portës së futbollit në stadium.
CNN tha se kishte kontaktuar ushtrinë izraelite për koment mbi videon dhe fëmijët e arrestuar, por ende nuk kishte marrë një përgjigje.
Qindra burra dhe djem palestinezë janë arrestuar në Gaza gjatë javëve të fundit. Pasi u shfaqën imazhet e para në rrjetet sociale, forcat izraelite shpjeguan se po zhvisheshin të arrestuarit për t'u siguruar që ata të mos mbanin eksploziv.
(A2 Televizion)