
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj disa kompanive kineze, të cilat akuzohen për lidhje dhe bashkëpunim me Iranin, në një veprim që vjen vetëm pak ditë përpara një takimi të rëndësishëm mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit kinez Xi Jinping në Pekin.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, katër kompani janë përfshirë në listën e sanksioneve, tre prej tyre me seli në Kinë. Ato akuzohen se kanë ofruar imazhe satelitore që, sipas Uashingtonit, i kanë mundësuar Iranit të kryejë sulme ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme, shkruan A2CNN.
Paralelisht, Departamenti amerikan i Thesarit ka sanksionuar edhe 10 individë dhe kompani të tjera, përfshirë subjekte kineze, të cilat dyshohet se kanë ndihmuar Iranin në sigurimin e armëve dhe materialeve për prodhimin e raketave balistike dhe dronëve.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA do të ndërmarrë masa të mëtejshme ndaj çdo subjekti të huaj që mbështet industrinë ushtarake iraniane.
“Me këtë veprim, ne po kërkojmë llogaridhënie nga subjektet me bazë në Kinë për mbështetjen e tyre ndaj Iranit. Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të goditur subjektet dhe individët që ndihmojnë industrinë ushtarake të Iranit”, tha Rubio.
Më herët, SHBA ka vendosur sanksione edhe ndaj disa rafinerive kineze për blerjen e naftës iraniane.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Kinës ka deklaruar se kundërshton sanksionet e njëanshme që, sipas saj, nuk bazohen në të drejtën ndërkombëtare dhe se do të mbrojë interesat e kompanive dhe qytetarëve kinezë.
(A2 Televizion)