SHBA sulmon anijen e dyshuar për drogë në Paqësor, raportohen dy viktima

Nga A2 CNN
9 Maj 2026, 09:43 | Bota

SHBA sulmon anijen e dyshuar për drogë në Paqësor,

Një sulm i ri ajror amerikan në Oqeanin Paqësor lindor ka shënjestruar një anije që dyshohet se ishte e përfshirë në trafik droge, duke shkaktuar të paktën dy viktima, sipas autoriteteve ushtarake amerikane.

Komanda ushtarake e SHBA për Amerikën Latine dhe Karaibet, SOUTHCOM, bëri të ditur se mjeti lundrues po lëvizte në “rrugë të njohura të trafikimit të drogës” dhe dyshohej se ishte pjesë e operacioneve të kontrabandës së narkotikëve në Paqësorin lindor.

SOUTHCOM publikoi gjithashtu një video 10-sekondëshe bardh e zi, ku shihet momenti i goditjes dhe shkatërrimit të anijes, shkruan A2CNN.

Sipas deklaratës zyrtare, të paktën dy persona humbën jetën, ndërsa një tjetër fillimisht ka mbijetuar. Roja Bregdetare amerikane është njoftuar për të kryer operacione kërkim-shpëtimi, por nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi fatin e të mbijetuarit.

Ky operacion vjen në kuadër të fushatës amerikane kundër trafikut të drogës, e nisur në shtator 2025 në Paqësor dhe Karaibe, ku sipas të dhënave zyrtare numri i viktimave ka arritur në të paktën 192 persona.

Megjithatë, administrata amerikane është përballur me kritika për mungesë provash konkrete që lidhin anijet e goditura me aktivitete kriminale, ndërsa ligjshmëria e këtyre operacioneve në ujëra ndërkombëtare është vënë në diskutim nga ekspertë dhe organizata të të drejtave të njeriut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos