Merz: SHBA po largohet nga Europa, konkurrencë e ashpër me Kinën!

Nga A2 CNN
18 Korrik 2025, 15:46 | Bota

Merz: SHBA po largohet nga Europa, konkurrencë e ashpër me Kinën!

Kancelari gjerman Friedrich Merz tha të premten se amerikanët “po largohen nga Europa” dhe po e zhvendosin vëmendjen e tyre drejt vendeve aziatike, shkruan A2 CNN.

“Po vërej se amerikanët prej vitesh po largohen nga Europa dhe po kthehen nga Azia. Kjo, siç thuhet, 'zhvendosja drejt Azisë' po ndodh, dhe ka vende të tjera në botë për të cilat amerikanët janë të interesuar dhe e shohin veten në një konkurrencë të ashpër me Kinën. Dhe kjo është arsyeja pse ata na thonë: 'kujdesuni për veten tuaj', dhe ne po e bëjmë këtë”, tha Merz në një intervistë për BBC News.

Udhëheqësit europianë janë vënë në lëvizje për të forcuar mbrojtjen kundër Rusisë, pasi administrata Trump ka bërë të qartë që kur ka marrë detyrën se SHBA nuk është më e gatshme të jetë garantuesja kryesore e sigurisë së Kontinentit të vjetër.

“Pra, ne jemi takuar tani tri herë radhazi në Uashington, në G7 në Kanada, dhe një javë më vonë në NATO në Hagë. Dhe jemi në kontakt në telefon një herë në javë. Po koordinojmë përpjekjet tona. Një çështje është lufta në Ukrainë, dhe tjetra janë debatet tona tregtare dhe tarifat. Dhe po përpiqemi të arrijmë rezultate. Dhe kjo është arsyeja pse jam kaq i përkushtuar”, shtoi Merz.

Ndërkohë, BE-ja dhe SHBA-ja janë në negociata për të rivendosur ekuilibrin në marrëdhëniet e tyre tregtare, me Uashingtonin që po kërkon të ulë deficitin tregtar me Europën në tregtinë e mallrave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos