Merz tha se SHBA u poshtërua në Iran, hakmarrja e Trump, ikin 5 mijë ushtarë amerikanë nga Gjermania

Nga Xhevahir Qardaku
2 Maj 2026, 12:52 | Bota

5 mijë ushtarë amerikanë po largohen nga Gjermania. Ky është rezultati i grindjes mes presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me kancelarin Friedrich Merz, lidhur me luftën kundër Iranit.

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka zyrtarizuar planin e tërheqjes, sipas asaj që raportojnë media si CNN apo BBC. Vendimi vjen vetëm një ditë pasi Trump kritikoi ashpër Merz, i cili deklaroi se Shtetet e Bashkuara ishin “poshtëruar” nga negociatorët iranianë. Në reagimet e tij në rrjetet sociale, Trump tha se kancelari gjerman është “duke bërë një punë të tmerrshme”, dhe e akuzon për dështime në politikat e emigracionit dhe energjisë, shkruan A2CNN.

Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, konfirmoi se urdhri për tërheqjen e trupave është dhënë nga sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth. Sipas tij, vendimi është marrë pas një rishikimi të pranisë ushtarake amerikane në Europë dhe pritet të zbatohet brenda 6 deri në 12 muajve të ardhshëm.

Ministri i mbrojtjes i Gjermanisë thotë se vendimi i SHBA-së për tërheqjen e trupave ishte i parashikueshëm.

“Europianët duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre”, thotë Boris Pistorius. Aktualisht, SHBA ka mbi 36 mijë trupa aktive në Gjermani, duke e bërë atë praninë më të madhe ushtarake amerikane në Europë.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre është e vendosur në bazën ajrore Ramstein. Trump ka sugjeruar gjithashtu mundësinë e tërheqjes së trupave nga Italia dhe Spanja, duke i kritikuar këto vende për mungesë mbështetjeje në operacionet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Ai ka qenë prej kohësh kritik ndaj aleancës së NATO dhe nivelit të kontributit të vendeve anëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos