Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, është shprehur se vendi i tij duhet të forcojë "misionin e tij të paqes", pasi sipas tij, tani ekziston rreziku i përshkallëzimit të luftës në Ukrainë.
Sipas mediave të huaja, duke folur në Moskë përpara bisedimeve me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, Szijjarto tha: "1000 ditët e fundit dëshmojnë se nuk ka zgjidhje për këtë konflikt në fushën e betejës".
Ministri është takuar me Lavrov disa herë që kur Rusia sulmoi Ukrainën në vitin 2022.
Hungaria, e cila është një anëtare e NATO-s, ka kundërshtuar shumë nisma të BE-së për të mbështetur Ukrainën në rezistencën ndaj forcave të Moskës.
Vendi gjithashtu merr pjesën më të madhe të naftës dhe gazit bruto nga Rusia, shkruan A2 CNN.
Në fillim të këtij viti, kryeministri i Hungarisë Viktor Orban u takua me Vladimir Putin në Moskë, në një vizitë që u kritikua ashpër nga Ukraina dhe Perëndimi.
Pas takimit, udhëheqësi hungarez tha se Rusia dhe Ukraina ishin ende "larg" në pikëpamjet e tyre për arritjen e paqes. (A2 Televizion)