Si po izolohet Irani? SHBA premton heqje të sanksioneve ndaj Bashar Al-Assad

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2024, 17:22 | Bota

Balancat gjeopolitike pritet të ndryshojnë në Lindjen e Mesme. Burime konfidenciale për Reuters, bëjnë me dije se, SHBA dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë diskutuar me njëra-tjetrën mundësinë e heqjes së sanksioneve ndaj presidentit sirian Bashar al-Assad nëse ky i fundit shkëputet nga Irani dhe ndërpret rrugët e armëve për në Liban për organizatën militante të Hezbollahut. 

Bisedimet u intensifikuan muajt e fundit, thekson Reuters, të nxitura nga skadimi i mundshëm më 20 dhjetor i sanksioneve gjithëpërfshirëse të SHBA-së ndaj Sirisë dhe nga fushata e Izraelit kundër aleatëve rajonal të Teheranit, duke përfshirë Hezbollahun në Liban, Hamasin në Gaza dhe asetet iraniane në Siri.

Diskutimet u zhvilluan përpara se rebelët anti-Asad të futeshin në Alepo javën e kaluar në ofensivën e tyre më të madhe në Siri për vite me radhë.

Sipas burimeve të Reuters, avancimi i ri i rebelëve është një sinjal pikërisht i llojit të dobësisë në aleancën e Asadit me Iranin që nisma e Emirateve dhe e SHBA-së synon të shfrytëzojë. Por nëse Assad përqafon ndihmën iraniane për një kundërsulm, kjo gjithashtu mund të komplikojë përpjekjet për të krijuar një aleancë mes tyre, thanë burimet.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi vizitoi Sirinë të dielën në shenjë mbështetjeje për Assadin dhe presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan foli me Asadin në telefon për zhvillimet e fundit në fundjavë.

Mediat libaneze kanë raportuar se Izraeli kishte sugjeruar heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Sirisë. Por nisma e Emirateve të Bashkuara Arabe me SHBA-në nuk është raportuar më parë. Të gjitha burimet folën në kushte anonimiteti për të diskutuar mbi diplomacinë e dhomës së pasme.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shpresuar prej kohësh të distancojnë Assadin nga Irani dhe duan të ndërtojnë lidhje biznesi me Sirinë, por sanksionet e SHBA-së i kanë penguar këto përpjekje, thanë burimet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos