Ministri kroat tenton të puthë në buzë kolegen gjermane

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2023, 09:07 | Bota

Ministri kroat tenton të puthë në buzë kolegen gjermane

Gjatë fotografisë në grup të një takimi të Ministrave të Brendshëm dhe të Jashtëm evropianë, të mbajtur në Berlin të enjten, kreu i diplomacisë kroate, Gordan Grlic-Radman, tentoi "të puthte në buzë" kolegen e tij gjermane, Annalena Baerbock, duke krijuar një rast që "shkaktoi sensacion në Kroaci”. Kjo është raportuar nga faqja e internetit "Tagesschau", programi i lajmeve i kanalit të parë publik gjerman.

Mediat kroate raportojnë një "moment të vështirë" dhe aktivistët e të drejtave të grave akuzojnë Grlic-Radman për mosrespektim, shkruan faqja. “E pakëndshme për t'u parë”. Kështu e komentojnë gazetat kroate dhe boshnjake momentin në të cilin ministrja gjermane largohet në mënyrë të pakëndshme nga goja e kroatit, shkruan e përditshmja kroate "Jutarnji list".

Aktivistja për të drejtat e grave, Rada Boriç, foli për një "gjest krejtësisht të papërshtatshëm", ndërsa një tjetër aktiviste e akuzoi ministrin për mungesë mirësjelljeje dhe respekti. Ivana Kekin, një anëtare e parlamentit, tha se Grlic-Radman jo vetëm që kishte turpëruar veten, por të gjithë kroatët. Ish-kryeministrja kroate, Jadranka Kosor, gjithashtu kritikoi ministrin, duke shkruar në X se “puthja me forcë e grave quhet edhe dhunë, apo jo?”.

Ndërkohë, Grlic-Radman i hodhi poshtë akuzat dhe në një konferencë për shtyp pretendoi se dëshironte të përshëndeste një kolege në mënyrë “humane”, duke qenë se “ministrat gjithmonë përshëndesin njëri-tjetrin ngrohtësisht”. Megjithatë, ministri kërkoi falje për gjestin e tij ndaj kujtdo që ndihej i ofenduar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos