Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski shpërthen ndaj presidentit amerikan Donald Trump, duke kritikuar afrimin e tij me Vladimir Putinin dhe vonesat në furnizimin e Ukrainës me raketa mbrojtëse kundërajrore. Në një intervistë për BBC Zelensky tha se është e papranueshme që Trump ta cilësojë presidentin rus si mik, duke e quajtur atë agresor dhe vrasës. Ai e krahasoi një qëndrim të tillë me miqësinë me Adolf Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Sigurisht, është në dorën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, por... kjo është e çuditshme. Ai është një agresor dhe një vrasës... Ai nuk mund të jetë mik. Thjesht nuk mundet. Do të ishte njësoj sikur dikush të deklaronte se ishte mik me Adolf Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore”.
Kreu i shtetit ukrainas kritikoi gjithashtu Uashingtonin se nuk po ushtron presion të mjaftueshëm ndaj Moskës për të arritur një marrëveshje paqeje. Bisedimet e fundit, të zhvilluara me ndërmjetësimin e Emirateve të Bashkuara Arabe, nuk sollën përparim konkret, ndërsa një raund i ri pritet të mbahet në dhjetor.
Zelensky u kërkoi aleatëve që të ushtrojnë presion real mbi Rusinë, duke theksuar se neutraliteti përballë agresorit nënkupton mbështetje edhe për viktimën, edhe për agresorin. Ai ngriti shqetësimin edhe për mungesën e raketave interceptuese Patriot, duke deklaruar se vonesat në furnizim po kushtojnë jetë njerëzish, ndërsa Shtetet e Bashkuara po i japin përparësi ndihmës për Lindjen e Mesme.
Në një postim në rrjetet sociale të enjten, presidenti amerikan Donald Trump tha se gjatë takimit në Kinë i kishte kërkuar Putinit të hiqte dorë nga të gjitha aktet e agresionit nëpër Europë, dhe se besonte që një marrëveshje paqeje me Ukrainën ishte shumë e mundur. (A2 Televizion)