
Përshkallëzohen përplasjet mes Arabisë Saudite dhe rebelëve Huthi në Jemen. Sulmet e ndërsjella kanë vënë në shënjestër infrastrukturën strategjike, rafineritë e naftës dhe portet, ndërsa bilanci i viktimave dhe dëmeve po rritet.
Një sulm me predhë goditi të enjten një rafineri nafte në rajonin e Jazanit, në jugperëndim të Arabisë Saudite, duke shkaktuar zjarr dhe ndërprerjen e përkohshme të disa operacioneve. Sipas Ministrisë Saudite të Energjisë, nga sulmi humbi jetën një punëtor nepalez, ndërsa disa persona të tjerë mbetën të plagosur.
Ngjarja erdhi një ditë pasi rebelët Huthi pretenduan se kishin goditur rafinerinë e Ras Tanurës, një prej komplekseve më të rëndësishme të përpunimit dhe eksportit të naftës në Arabinë Saudite. Imazhet satelitore treguan një re të madhe tymi të zi mbi zonën e goditur.
Rafineria e Ras Tanurës ka një kapacitet përpunimi prej 550 mijë fuçish naftë në ditë. Sipas burimeve të transportit detar, pas sulmit u pezulluan përkohësisht edhe ngarkesat e naftës në terminal, megjithëse nuk është konfirmuar nëse operacionet kanë rifilluar.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite deklaroi se kishte interceptuar dhe shkatërruar katër dronë mbi zonën e Ras Tanurës. Ndërkohë, Huthët morën përgjegjësinë edhe për një sulm ndaj kryeqytetit Riad, ku sipas autoriteteve saudite mbetën të plagosur 11 persona. Koalicioni paralajmëroi një përgjigje të fortë ndaj sulmeve.
(A2 Televizion)