Presidenti rus, Vladimir Putin, viziton gjatë ditës së sotme Korenë e Veriut, për herë të parë në 24 vjet. Vizita dyditore vjen në një kohë kur dy vendet forcojnë aleancën e tyre kundër presioneve në rritje nga Uashingtoni.
Në Phenian rrugët janë zbukuruar me portretet e Putinit dhe flamujt rusë. Në një pankartë të varur në një ndërtesë shkruhej: "Ne mirëpresim ngrohtësisht Presidentin e Federatës Ruse".
Në një shkrim të botuar nga media shtetërore e Koresë së Veriut pak para mbërritjes së tij, Putin vlerësonte mbështetjen e palëkundur të Phenianit për pushtimin e Ukrainës dhe deklaroi se të dyja vendet do të kundërshtonin me vendosmëri ato që ai i përshkroi si ambicie perëndimore "për të penguar krijimin e një bote shumëpolare.”
Putin bëri po ashtu të ditura planet për të zhvilluar sisteme të reja tregtare dhe pagesash të pavarura nga kontrolli perëndimor dhe për të kundërshtuar ato që ai i cilësoi si "masa kufizuese të njëanshme dhe të paligjshme" të vendosura nga Perëndimi.
Kujtojmë se Koreja e Veriut është nën sanksione të rënda ekonomike të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për armët e saj bërthamore dhe programet e raketave, ndërsa Rusia po përballet gjithashtu me sanksione nga SHBA-ja dhe partnerët e saj perëndimorë për agresionin e saj në Ukrainë. (A2 Televizion)