Kryeministri i Groenlandës, Mute Egede, ka mbajtur një qëndrim të fortë kundër presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka përsëritur dëshirën për aneksimin e ishullit. Egede ka thënë se “mjaft është mjaft” dhe ka thirrur liderët politikë të diskutojnë një plan për refuzimin ndaj kërkesave të Trumpit. Kryeministri i ardhshëm i Greenlandës, Jens-Frederik Nielsen, lideri i partisë Demokratike, gjithashtu ka hedhur poshtë komentet e Trumpit, duke thënë se ato janë të papranueshme dhe se është e rëndësishme që banorët e Groenlandës të qëndrojnë të bashkuar në këto raste.
Presidenti Trump kishte deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Groenlandën për arsye sigurie kombëtare dhe se mund të dërgonte trupa amerikane për të marrë kontrollin e ishullit. Ai gjithashtu ka theksuar se SHBA-të tashmë kanë disa baza ushtarake në Groenland dhe se mund të shtohen edhe më shumë ushtarë. Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka refuzuar të përfshihet në diskutimet mbi statusin e Groenlandës.
Liderët e Groenlandës, përfshirë Nielsen, janë të qartë se ata nuk dëshirojnë të bëhen amerikanë, por duan të ruajnë identitetin e tyre dhe të krijojnë një shtet të pavarur në të ardhmen. Gjatë zgjedhjeve të fundit, Partia Demokratike fitoi dhe u bë kundërshtare e fuqishme ndaj përpjekjeve të Trumpit për aneksimin e ishullit, i cili është një territor i Danimarkës. Pjesa më e madhe e popullsisë gjithashtu ka shprehur mbështetje për pavarësinë nga Danimarka.
Groenlanda është ishulli më i madh në botë, me rreth 56,000 banorë, dhe ka qenë nën kontrollin e Danimarkës për rreth 300 vjet. Pas fitimit të autonomisë në vitin 1979, Groenlanda ka përfituar nga marrëdhëniet me Danimarkën, duke përfshirë pasaportat dhe kujdesin shëndetësor, por është gjithashtu në kërkim të një rruge të pavarur në të ardhmen. (A2 Televizion)