Forcat izraelite kanë vrarë të paktën 40 persona në Gaza që kur u arrit armëpushimi Iran-Izrael, sipas mjekëve vendas dhe banorëve.
Sipas mediave të huaja, dëshmitarët thanë se trupat izraelite hapën zjarr, ndërsa mijëra palestinezë u mblodhën pranë një qendre shpërndarjeje ushqimi në Gaza, e cila mbështetet nga Izraeli dhe SHBA-të.
Të paktën 19 persona u vranë, sipas një spitali lokal dhe Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi, shkruan A2 CNN.
Ushtria izraelite tha se një grumbullim gjatë natës u identifikua ngjitur me forcat që veprojnë në Korridorin qendror Netzarim të Gazës dhe po shqyrtonte raportet për viktima.
Qendra e ndihmës thotë se nuk ka pasur asnjë incident pranë vendndodhjes së tyre, e cila, thonë ata, ndodhet disa kilometra larg Korridorit Netzarim.
Sipas mjekëve, 10 persona u vranë nga një sulm ajror izraelit në një shtëpi në lagjen Sabra të qytetit të Gazës, ndërsa 11 të tjerë u vranë nga të shtënat me armë zjarri izraelite në qytetin jugor të Khan Younis.
Izraeli thotë se militantët përdorin zonat e banuara të ndërtuara për mbulim operativ, ndërsa Hamasi e mohon këtë. (A2 Televizion)