Mojtaba Khamenei: Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të sillen në gjunjë, të pranojnë humbjen dhe të paguajnë dëmshpërblim

Nga A2 CNN
17 Mars 2026, 15:54 | Bota

Mojtaba Khamenei: Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të sillen në

Udhëheqësi i ri suprem i Iranit ka refuzuar propozimet për ulje të tensioneve të përcjella në Teheran nga ndërmjetës, duke kërkuar që Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara fillimisht të “sillen në gjunjë”, tha të martën një zyrtar i lartë iranian.

Ajatollah Mojtaba Khamenei ka zhvilluar takimin e tij të parë për politikën e jashtme që prej emërimit si udhëheqës suprem dhe ka mbajtur një qëndrim për hakmarrje ndaj SHBA-së dhe Izraelit, që sipas zyrtarit ishte “shumë i ashpër dhe serioz”, pa sqaruar nëse ai mori pjesë fizikisht apo në distancë.

Zyrtari i lartë, i cili kërkoi të mbetet anonim, tha se dy vende ndërmjetëse i kishin përcjellë Ministrisë së Jashtme të Iranit propozime për “uljen e tensioneve ose armëpushim me Shtetet e Bashkuara”. Ai nuk dha detaje të mëtejshme mbi propozimet apo ndërmjetësit. Sipas tij, udhëheqësi suprem ishte përgjigjur se nuk është “koha e duhur për paqe derisa Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të sillen në gjunjë, të pranojnë humbjen dhe të paguajnë dëmshpërblim”.

Udhëheqësi suprem ka fjalën e fundit në të gjitha çështjet shtetërore në Republikën Islamike. Nuk janë publikuar imazhe të reja të tij që prej përzgjedhjes më shumë se një javë më parë nga një asamble klerikësh për të zëvendësuar të atin, ajatollah Ali Khamenei. Disa zyrtarë iranianë kanë thënë se ai u plagos lehtë gjatë sulmeve që vranë të atin, ndërsa zyrtarë amerikanë kanë sugjeruar se ai ka pësuar plagë të rënda.

Lufta mes SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit ka hyrë në javën e tretë, me të paktën 2 mijë viktima dhe pa një fund të dukshëm. Ngushtica e Hormuzit mbetet kryesisht e mbyllur, ndërsa aleatët e SHBA-së kanë refuzuar kërkesën e presidentit Donald Trump për të ndihmuar në rihapjen e kësaj rruge të rëndësishme detare, duke rritur çmimet e energjisë dhe frikën për inflacion.

Në mesazhin e tij të parë publik që prej zgjedhjes, i lexuar nga televizioni shtetëror javën e kaluar, udhëheqësi i ri suprem deklaroi se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e mbyllur si një mjet presioni ndaj “armiqve të Iranit”.

Administrata e Trump ka refuzuar përpjekjet e aleatëve të Lindjes së Mesme për të nisur negociata diplomatike që synonin t’i jepnin fund luftës me Iranin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos