
Protestat dhe grevat në Iran për shkak të inflacionit dhe zhvlerësimit të monedhës janë përhapur nga kryeqyteti, Teherani, në disa qytete të tjera në ditën e tretë të trazirave.
Sipas mediave të huaja, protestat filluan të dielën pasi dyqanxhinjtë në Pazarin e Madh të Teheranit organizuan një grevë kur riali iranian arriti nivelin më të ulët rekord kundrejt dollarit amerikan në tregun e hapur.
Që atëherë, videot e verifikuara nga BBC Persian kanë treguar demonstrata në qytetet Karaj, Hamedan, Qeshm, Malard, Isfahan, Kermanshah, Shiraz dhe Yazd. Policia u pa gjithashtu duke përdorur gaz lotsjellës në një përpjekje për të shpërndarë demonstruesit.
Qeveria iraniane tha se "i njeh protestat" dhe do t'i dëgjojë "me durim, edhe nëse përballet me zëra të ashpër", shkruan A2 CNN.
Presidenti Masoud Pezeshkian shkroi në platformën ‘X’ vonë të hënën se kishte udhëzuar ministrin e brendshëm të zhvillonte bisedime me ata që ai i përshkroi si "përfaqësues" të protestuesve, në mënyrë që të merreshin masa "për të zgjidhur problemet dhe për të vepruar me përgjegjësi".
Ai gjithashtu pranoi dorëheqjen e guvernatorit të Bankës Qëndrore të Iranit, Mohammadreza Farzin, dhe emëroi ish-ministrin e Ekonomisë dhe Financave Abdolnasser Hemmati për ta zëvendësuar atë. (A2 Televizion)