Narkoterroristja e arrestuar. Kush është Celia Flores, gjeneralja e zemrës së Maduros?

Nga Xhevahir Qardaku
6 Janar 2026, 23:38 | Bota

Ky është një nga momentet e shumta kur Nicolás Maduro ka lavdëruar publikisht bashkëshorten e tij, Cilia Flores, e cila ka qenë gjithmonë pranë presidentit venezuelian. Por mos u mashtroni nga sjellja e saj e butë. Prej vitesh, Flores ka ushtruar pushtet prapa skenave si një stratege politike e zgjuar dhe e pamëshirshme.

Në fakt, ajo nuk e pëlqen titullin “Zonjë e Parë”, por preferon të quhet “luftëtarja e parë”. Një titull që flet shumë për besimin e saj të palëkundur në Çavizëm, lëvizjen socialiste që ka dominuar Venezuelën për dekada. Si juriste, ajo ndihmoi në lirimin nga burgu të Hugo Chávez-it pas grushtit të dështuar të shtetit në vitet ’90, shkruan A2.

Ishte pikërisht atëherë kur ajo u njoh për herë të parë me Maduron, një moment që ajo e ka kujtuar më vonë publikisht. Chávez më pas u bë president, si edhe mentori dhe pararendësi politik i Maduros. Ndërkohë, Flores po ndërtonte me kujdes rrugën e saj politike. Në vitin 2006, ajo u bë gruaja e parë që drejtoi Asamblenë Kombëtare të Venezuelës.

Ajo u kritikua ashpër për ndalimin e gazetarëve nga salla e parlamentit dhe për punësimin e dhjetëra të afërmve të saj, veprime që ajo i mbrojti hapur. Në vitin 2012, Chávez e emëroi Flores Prokurore të Përgjithshme të vendit, pak kohë para se të ndërronte jetë. Një vit më vonë, ajo u martua me presidentin e atëhershëm, Nicolás Maduro. Të gjitha këto e kanë bërë atë të përshkruhet si gruaja më e fuqishme në Venezuelë.

Një pushtet dhe ndikim që nuk kaluan pa u vënë re. Në vitin 2018, administrata e parë Trump vendosi sanksione ndaj Flores dhe figurave të tjera të afërta me regjimin, duke i akuzuar se ndihmonin Maduron të plaçkiste pasurinë e vendit. Por administrata Trump nuk u tërhoq nga qëndrimi i saj dhe, kur ndërmori hapin e jashtëzakonshëm për arrestimin e presidentit venezuelian në dhomën e tij të gjumit gjatë fundjavës, u sigurua që edhe Flores të ishte pjesë e operacionit.

Në aktakuzë, prokurorët akuzojnë çiftin presidencial dhe anëtarë të tjerë të elitës së vendit se bashkëpunuan me grupe narkotrafiku për të lehtësuar dhe mbrojtur aktivitetet e trafikut të drogës. Dokumenti prej 25 faqesh shton se ata urdhëruan rrëmbime, rrahje dhe vrasje ndaj personave që u detyroheshin para ose që pengonin aktivitetet e tyre kriminale.

Flores, 69 vjeçe, u paraqit për herë të parë në një gjykatë të Nju Jorkut të hënën, krah bashkëshortit të saj. Të sfiduar dhe të vendosur, të dy u deklaruan të pafajshëm, në atë që tashmë po shndërrohet në një nga çështjet më të bujshme gjyqësore ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos