Nata bëhet “ditë” në Turqi! Mijëra protestues pushtojnë sheshet në mbështetje të Imamoglu

Nga A2 CNN
19 Mars 2025, 22:46 | Bota

Pavarësisht arrestimeve dhe brutalitetit të policisë në qendër të Stambollit, mijëra qytetarë dolën në rrugë të mërkurën në mbrëmje për të protestuar në mbështetje të kryebashkiakut Ekrem Imamoglu, i cili u arrestua në mëngjes së bashku me mbi 100 persona të tjerë.

Mijëra njerëz u mblodhën jashtë bashkisë për të dëgjuar fjalimin e kreut të CHP, Özgür Özel. Ozel në ndërhyrjen e tij tha se vendimi për arrestimin e kryebashkiakut “ishte një grusht shteti”.

Ai ia atribuoi lëvizjen e fundit që ka tronditur Turqinë, Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, duke thënë se e bëri këtë për shkak të një mosmarrëveshjeje personale me Imamoglu, pasi humbi kontrollin e Stambollit për shkak të tij dhe imazhi i presidentit "u zbeh".

Siç shpjegoi Özel, Erdogan mund të humbiste ndaj Imamoğlu-s dhe vetë Turqinë, ndaj ai luajti "kartën" e grushtit të shtetit.

Para protestuesve ka folur edhe bashkëshortja e Imamoglus, Dilek, e cila tha se nuk është arrestuar kryebashkiaku, por testamenti i 16 milionë qytetarëve, ndërsa vlerësuan punën sociale të kryer nga kryetari i bashkisë menza sociale dhe transport falas për kategoritë e qytetarëve vurnerabël në Stamboll.

Demonstrata sakaq u zhvilluan edhe në qytete të tjera të Turqisë, si Ankara, Izmir dhe Trabzon. Mijëra qytetarë që dolën në sheshe, goditën edhe tenxheret dhe tiganët duke krijuar një jehonë.

Guvernatori i Stambollit kishte urdhëruar mbylljen e shumë rrugëve kryesore, stacioneve të metrosë dhe rrugëve në qytet, si dhe qendrave kryesore të transportit, ndërsa vendosi një ndalim katër-ditor të demonstratave.

Synimi i dukshëm është parandalimi i demonstratave në favor të kryetarit të bashkisë ose së paku pengimi i dukshëm i tyre.

Ndërkohë, qeveria mori edhe masa ligjore. Aktivistët thonë se që nga mëngjesi i së mërkurës, qasja në platformat kryesore të mediave sociale, si X, Instagram, YouTube dhe TikTok, është kufizuar.

Kujtojmë se arrestimi i Imamoglu vjen një vit pas fitores së tij në zgjedhjet komunale në të cilat ai u rizgjodh me 51.14% të votave si kryebashkiak i Stambollit.

Ai u akuzua për terrorizëm, çka çoi në ndalimin e tij, me ç'rast Ministri i Brendshëm e largoi nga detyra dhe e zëvendësoi me një zyrtar të caktuar nga qeveria deri në përfundimin e procedurave ligjore.

Të martën, Universiteti i Stambollit revokoi diplomën e Imamoglut, gjë që vë në dyshim, nëse i hiqet plotësisht shansi Imamoglus që të kandidojë për president.

Zgjedhjet do të mbahen në vitin 2028, por ka mundësi që Tajip Erdogan t'i thërrasë më vonë.

Imamoglu është kandidati i mundshëm presidencial i opozitës kryesore, Partia Popullore Republikane (CHP). Nominimi pritet të shpallet në prill, por sondazhet e konsiderojnë atë si kundërshtarin më serioz të Erdogan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos