Nata e dytë e tmerrit! Forcat ruse godasin Kievin, vriten 3 persona

Nga Erjon Dervishi
25 Maj 2025, 09:24 | Bota

Kievi ka përjetuar një tjetër natë tmerri si pasojë e sulmeve ruse. Mediat ndërkombëtare raportojnë se forcat ruse sulmuan Kievin dhe qytete të tjera mëngjesin e së dielës, duke plagosur të paktën 11 persona në kryeqytet, duke vrarë tre persona në qytetet përreth dhe duke dëmtuar banesa dhe ndërtesa të tjera.

Zyrtarët në rajonin e Kievit thanë se tre persona vdiqën në dy qytete të vogla jashtë kryeqytetit, shkruan A2.

Sulmet u shtrinë në një sërë qendrash rajonale, duke përfshirë qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, si dhe Mykolaiv në jug dhe Ternopil në perëndim.

Në Kiev, Timur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të qytetit, tha se 11 persona u plagosën në sulmet me dronë. Një ndërtesë pesëkatëshe u godit në lagjen Holosiivskyi, pak jashtë qendrës së qytetit, duke shkaktuar një zjarr që dëmtoi pjesën e jashtme të ndërtesës.

Një shtëpi private dhe një qendër biznesi u dëmtuan në sulmet në lagje të tjera. Kjo ishte nata e dytë e temrrit për Ukrainën, pas asaj të së premtes në mbrëmje, në të cilën Rusia lëshoi dhjetëra dronë dhe raketa balistike në Kiev gjatë natës në një nga sulmet më të mëdha ajrore të kombinuara në kryeqytetin ukrainas të luftës trevjeçare. Disa ndërtesa apartamentesh u dëmtuan dhe 15 persona u plagosën.

Në verilindje të Ukrainës, kryetari i bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov, tha se dronët goditën tre lagje të qytetit dhe plagosën tre persona. Shpërthimet thyen dritaret në blloqet e apartamenteve shumëkatëshe.

Sulmet me dronë plagosën dy persona në një zonë banimi të qytetit jugor të Mykolaiv, tha guvernatori rajonal. Një sulm me raketa në Ternopil në Ukrainën perëndimore theu dritaret dhe shkaktoi një zjarr të vogël. Zyrtarët lokalë raportuan gjithashtu një sulm masiv me dronë në Konotop, në veri të Kievit.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë raportoi se njësitë e saj të mbrojtjes ajrore kishin kapur ose shkatërruar 95 dronë ukrainas gjatë një periudhe katër-orëshe. Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, tha se 12 dronë ukrainas ishin kapur gjatë rrugës për në kryeqytet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos