Kievi u zgjua i mbuluar nga tymi këtë të premte, pas një nate ferri të përjetuar nga sulmet intensive të Rusisë. Një breshëri dronësh shënjestruan kryeqytetin ukrainas duke plagosur të paktën 23 vetë, duke dëmtuar infrastrukturën hekurudhore e duke u vënë zjarrin ndërtesave e automjeteve rreth qytetit.
Alarmi për sulmet ajrore zgjati më shumë se 8 orë gjatë natës, teksa Moska lëshoi një numër rekord prej 550 dronësh dhe 11 raketash drejt territorit Ukraina, me mbi 70 prej tyre që depërtuan sistemet mbrojtëse. Dëme u regjistruan në 6 prej 10 distrikteve të Kievit në të dyja anët e lumit Dnipro, dhe mbetje dronësh shkaktuan zjarr në një strukturë mjekësore.
Këto ishin të fundit në serinë e sulmeve ajrore ndaj Kievit, të cilat janë intensifikuar gjatë javëve të fundit duke përfshirë edhe disa prej më të përgjakshmëve që prej fillimit të luftës. Ato erdhën pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ishte zhgënjyer nga telefonata që kishte zhvilluar me shefin e Kremlinit të enjten, pasi siç tha Putin nuk ishte gati ti jepte fund luftës në Ukrainë.
Kremlini nga ana e tij riktheksoi se Moska do të vijonte të punonte për zgjidhjen e rrënjëve të konfliktit, siç i cilësoi.
“Jam shumë i zhgënjyer me bisedën që zhvillova sot me Putinin pasi nuk mendoj se ai është aty ku duhet. Jam shumë i zhgënjyer vërtet. Po them se nuk mendoj që ai dëshiron të ndalet, dhe kjo është diçka e keqe.”
Ministri i jashtëm ukrainas dënoi ashpër sulmet e fundit, në atë që e quajti një prej netëve më të këqija të kryeqytetit, dhe kërkoi që Moska të merrte një shuplakë të fortë, me sanksione nga më të ashprat.
Një vendim i Uashingtonit më herët gjatë javës për të ndërprerë disa prej furnizimeve kritike të armatimeve në Ukrainë nxiti paralajmërimet e Kievit se lëvizja do të dobësonte aftësinë e tij për të mbrojtur kundër sulmeve të intensifikuara ajrore dhe avancimeve në fushëbetejë. (A2 Televizion)