Rrjeti italian i supermarketeve Coop Alleanza njoftoi këtë të mërkurë se do të ndalojë shitjen e produkteve izraelite dhe se, në të njëjtën kohë, do të fillojë shitjen e Gaza Cola.
“Kjo është një iniciativë 100% palestineze, të ardhurat e së cilës do të kontribuojnë në ndërtimin e një spitali në Rripin e Gazës", thuhet në njoftim.
Zinxhiri Coop Alleanza ka 350 supermarkete në tetë rajone italiane. Produktet kryesore izraelite që do të ndalojnë së shituri, sipas shtypit, janë tahini dhe një markë sode.
"Përshkallëzimi i ditëve të fundit na ka bërë të dërgojmë një mesazh solidariteti, nuk mund të qëndrojmë indiferentë përballë dhunës. Gjithmonë kemi qenë në anën e atyre që bëjnë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve ushtarake dhe dënojmë me vendosmëri bllokadën e ndihmës humanitare të imponuar nga qeveria izraelite", thuhet në një deklaratë të Coop Alleanza. (A2 Televizion)