Teksa konflikti në Lindjen e Mesme zgjerohet, me përfshirjen gjithnjë e më aktive të rebelëve Huthi, Kina hyn në lojë për të qetësuar situatën. Burime të cituara nga Reuters pretendojnë se Pekini i ka kërkuar privatisht Teheranit të ndihmojë për të frenuar rebelët Huthi.
Ndërhyrja vjen pas kërkesës që Arabia Saudite i bëri Kinës javën e kaluar, pasi milicia jemenite përparoi me shpejtësi përgjatë Detit të Kuq dhe rreth ngushticës së Bab el-Mandeb, duke intensifikuar edhe sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të këtij shteti. Kjo lëvizje i ka bërë eksportet dhe transportin e naftës saudite më të ekspozuara.
Publikisht, Kina ka bërë thirrje për përmbajtje, dialog dhe rikthim të lundrimit të sigurt, por në mesazhin privat, sipas burimeve, ka shkuar edhe më tej. Siç thuhet, Pekini dëshiron të përdorë influencën e vet tek Huthit për të parandaluar përhapjen e konfliktit edhe në rrugë të tjera të rëndësishme të naftës, nga të cilat varet ekonomia e dytë më e madhe e botës.
Sipas burimeve, përgjigjja e Teheranit ishte se stabiliteti dhe paqja në rajon vareshin nga fundi i luftës me SHBA-në dhe Izraelin.
Ndërkohë, autoritetet italiane bënë me dije se një avion luftarak italian Eurofighter F-2000 është goditur dhe dëmtuar gjatë një sulmi ndaj bazës ajrore të Ta’ifit, në Arabinë Saudite, ku ndodhet edhe personel ushtarak italian.
Baza, e cila është ndër qendrat më të rëndësishme operative të Forcave Mbretërore Ajrore Saudite, është vënë vazhdimisht në qendër të sulmeve. (A2 Televizion)