SHBA ashpërson sanksionet ndaj Kubës, në shënjestër minierat e nikelit dhe kërkimet ushtarake

Nga A2 CNN
18 Shtator 2026, 11:26 | Bota

SHBA ashpërson sanksionet ndaj Kubës, në shënjestër

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj Kubës, duke synuar sektorin e minierave dhe metalurgjisë, si dhe kompani e individë të përfshirë në kërkime shkencore për qëllime ushtarake.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, masat prekin katër kompani të lidhura me prodhimin e nikelit, pajisjet elektronike, telekomunikacionin dhe kërkimet për forcat e armatosura kubane. Në listën e sanksioneve janë përfshirë edhe tre oficerë të lidhur me këto aktivitete.

Mes kompanive të sanksionuara janë SERCONI, CEPRONIQUEL, CEDINIQ dhe Pinares, të cilat veprojnë në sektorin e minierave dhe shfrytëzimit të nikelit. Sipas SHBA-së, ky sektor përbën një burim të rëndësishëm të ardhurash për qeverinë kubane.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se administrata Trump nuk do të qëndrojë pasive ndërsa, sipas tij, elita kubane përfiton nga shfrytëzimi i burimeve të vendit.

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Havanës janë përkeqësuar pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Administrata amerikane ka shtuar presionin ekonomik ndaj Kubës, ndërsa Presidenti Trump e ka cilësuar vendin si një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos