Ndërpritet rryma në centralin bërthamor Zaporizhja, Ukraina fajëson Rusinë

Nga A2 CNN
4 Korrik 2025, 19:31 | Bota

Ndërpritet rryma në centralin bërthamor Zaporizhja, Ukraina

Të gjitha linjat e jashtme të furnizimit me energji elektrike për centralin bërthamor Zaporizhja të Ukrainës, të zaptuar nga Rusia, janë jashtë funksionit të premten, tha agjencia bërthamore e OKB-së.

Ukraina e fajësoi Rusinë se bombardimet e saj e ndërprenë furnizimin e centralit me energji elektrike.

Centrali më i madh bërthamor në Evropë - i cili nuk punon por i nevojitet rryma për ta mbajtur të ftohtë lëndën bërthamore - është duke u furnizuar me rrymë tani përmes gjeneratorëve me naftë, tha Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).

IAEA-ja ka paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun e një katastrofe në Zaporizhja, pasi ky central bërthamor ndodhet pranë vijës së frontit në luftën në Ukrainë.

Që të gjashtë reaktorët e centralit janë të fikur, por lënda bërthamore brenda tyre ka ende nevojë për ftohje të vazhdueshme, gjë që kërkon furnizim të vazhdueshëm me rrymë.

“Centrali bërthamor i Ukrainës (ZNPP) humbi të gjithë furnizimin me rrymë nga jashtë në orën 17:36 sot. Hera e nëntë gjatë konfliktit ushtarak dhe hera e parë që nga fundi i vitit 2023”, tha IAEA në X.

“Aktualisht, ZNPP-ja mbështetet në rrymën e siguruar nga gjeneratorët emergjentë me naftë. Kjo thekson gjendjen jashtëzakonisht të rrezikshme të sigurisë bërthamore”, tha ajo.

Ministri i Energjisë i Ukrainës, German Galuschenko, shkroi në Telegram se një sulm rus kishte shkaktuar ndërprerjen e rrymës në centralin e Zaporizhjas.

“Armiku goditi linjën e energjisë që lidh centralin [bërthamor Zaporizhja], i cili ndodhet përkohësisht nën pushtim, me sistemin energjetik të integruar të Ukrainës”, tha ai.

As IAEA dhe as menaxhmenti i vendosur nga Rusia në central nuk dhanë fillimisht ndonjë arsye për ndërprerjen e rrymës.

“Arsyet për shkëputjen janë duke u sqaruar. Pajisjet në central janë në një gjendje të sigurt dhe nën kontrollin e stafit. Nuk janë vërejtur shkelje të kushteve të sigurisë”, tha menaxhmenti i vendosur nga Rusia./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos