Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, deklaroi se “vëllazëria ushtarake” mes vendit të tij dhe Rusisë do të vazhdojë të përparojë “pa ndalim”. Lajmi u raportua të premten nga televizioni shtetëror korean KRT.
Kim mbajti këtë fjalim gjatë ceremonisë së vendosjes së gurit të parë për ngritjen e një memoriali kushtuar ushtarëve koreano-veriorë që luftuan krah për krah me trupat ruse në rajonin e Kurskut, në Rusi, gjatë luftës që Moska po zhvillon kundër Ukrainës, përcjell A2 NN. Ceremonia u zhvillua të enjten, sipas agjencisë shtetërore koreane KCNA.
Ky aktivitet është shembulli më i fundit i nderimeve publike për ushtarët e Koresë së Veriut që po marrin pjesë në luftimet në territorin rus kundër forcave ukrainase.
Në muajt e fundit, Kim Jong Un dhe presidenti rus Vladimir Putin kanë nënshkruar një marrëveshje mbrojtjeje të ndërsjellë, që ka thelluar lidhjet ushtarake midis dy vendeve. Sipas burimeve perëndimore, Koreja e Veriut i ka dërguar Rusisë mijëra ushtarë, si dhe sasi të konsiderueshme municionesh dhe raketash, për të mbështetur pushtimin e plotë të Ukrainës nga Moska.
Sipas vlerësimeve të Ukrainës dhe Koresë së Jugut, më shumë se 10 mijë ushtarë koreano-veriorë janë dislokuar në zonat e luftës, në këmbim të ndihmës ekonomike dhe të teknologjisë ushtarake nga Rusia. Agjencia e inteligjencës së Seulit ka vlerësuar se deri në shtator, rreth 2 mijë prej tyre janë vrarë gjatë luftimeve.
Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të vizitojë Korenë e Jugut, rivalen historike të Penianit, javën e ardhshme, në një moment kur tensionet në rajon dhe aleanca e re ruso-koreane po tërheqin vëmendjen e botës. (A2 Televizion)
