Nën hetim për korrupsion, dorëhiqet kryeministri portugez

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2023, 21:46 | Bota

Nën hetim për korrupsion, dorëhiqet kryeministri portugez

Kryeministri portugez António Costa ka dhënë dorëheqjen pasi një grup hetuesish kontrolluan rezidencën e tij zyrtare, në bazë të një hetimi për korrupsion.

Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të ngritur ndaj tij, Costa u shpreh se nuk mund të qëndronte më në detyrë pas këtij hetimi, që kishte vënë në pranga shefin e tij të shtabit, Vitor Escária.

Prokurorët prej disa muajsh kanë nisur një hetim për koncesionet e dhëna për minierat e litiumit dhe prodhimin e hidrogjenit. Deri tani janë lëshuar 5 fletë-arresti, teksa mes të paditurve për marrëveshjet e energjisë është dhe ministri i Infrastrukturës, Joao Galamba.

“Nuk ka asnjë akt të paligjshëm që rëndon mbi ndërgjegjen time, apo edhe ndonjë akt të censurueshëm”, tha kryeministri teksa u shpreh i gatshëm të ndihmonte autoritetet në zbardhjen e këtyre akuzave të rënda për kabinetin e tij.

Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa tha se kishte pranuar dorëheqjen e kryeministrit dhe thirri partitë politike për konsultime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos