Ish-ministri i Jashtëm i Ukrainës ka bërë një paralajmërim tronditës duke thënë se nënat britanike duhet të pranojnë që bijtë e tyre duhet të vdesin duke mbrojtur Evropën, përndryshe nuk do të ketë NATO.
Dmytro Kuleba, i cili ishte në detyrë midis marsit 2020 dhe shtatorit 2024, i tha Gazetës Metro se qëllimi i Vladimir Putinit ishte të “zbulonte” falsitetin e aleancës së NATO-s, e cila ka një klauzolë ndihme të ndërsjellë që i detyron anëtarët e saj të luftojnë për njëri-tjetrin në rast të një sulmi nga një anëtar tjetër.
“Putini mund të pushtojë së shpejti territorin e NATO-s – dhe tani çfarë? A do të dërgojë NATO një divizion për të luftuar? Shumë njerëz besojnë se testi i vërtetë për NATO-n është nëse SHBA-të do të luftojnë për Evropën. Testi i vërtetë do të jetë nëse nënat britanike do ta pranojnë vërtet që bijtë e tyre duhet të vdesin për Finlandën, Estoninë apo Poloninë. Nëse nuk e bëjnë këtë, nuk ka NATO”, tha Kuleba.
Paralajmërimi i frikshëm i Kulebës vjen pasi shefi i Inteligjencës gjermane paralajmëroi se Putini po komploton për të sulmuar një vend anëtar të NATO-s për të testuar klauzolën e ndihmës së ndërsjellë të bllokut.
“Kështu nisi Lufta e Dytë Botërore. Pse të luftojmë për Danzigun [tani qyteti i Gdanskut]? Le t’ia japim Hitlerit, është thjesht një qytet në Poloni. Pse duhet të vdesim për të?” Kjo ishte pyetja që bënin kombet e Evropës Perëndimore në atë kohë]. Dhe kjo është pikërisht pyetja që Putini do t'i bëjë NATO-s. Evropa tashmë po shpenzon para për armë, por duhet ta bëjë këtë shumë më shpejt. Por pyetja e vërtetë është, kush do t'u tregojë votuesve se kërcënimi i luftës është real?", deklaroi po ashtu Kuleba.
Kuleba tha se paralajmërimi i tij vjen nga përvoja personale, duke i thënë Metro-s se si Ministër i Punëve të Jashtme gjatë pushtimit të Rusisë, ai bëri gabimin duke besuar se Rusia do të tërhiqej pasi të kishte humbur “rreth 10,000, 20,000 ushtarë”.
Por, ndërsa Rusia i afrohet pikës ku mund të ketë një milion ushtarë të vrarë ose të plagosur në Ukrainë që nga shpërthimi i luftës në shkurt të vitit 2022, ai u bëri thirrje qytetarëve britanikë të mos e nënvlerësojnë Putinin.
“Njerëzit në Britani ose në çdo vend tjetër mund të dëgjojnë atë që po them, ose mund të vendosin se unë jam një ukrainas luftënxitës që po përpiqet t’i tërheqë ata në luftën time. Jam plotësisht dakord me çdo zgjedhje që bëjnë. Ajo që mund t'u them, ajo që mund t'i nxis, është të mos i përsërisin gabimet tona. Gabimi më i madh që bëri Ukraina ishte se nuk besonim se kjo mund të na ndodhte në këtë shkallë. Ne, në Ukrainë, besonim gjithashtu se nuk do të na ndodhte sepse Putini nuk do të guxonte kurrë ta bënte. Pra, ky është gabimi që njerëzit po bëjnë. Kur shikoj përreth në Evropë, shoh të njëjtin model që ndodh. I njëjti model sjelljeje. A mendoni se nëse Ukraina do të ishte në gjendje të sulmonte fushat ajrore në Rusi, 1.600 kilometra larg Ukrainës, Rusia nuk do të ishte në gjendje të sulmonte asnjë pjesë të infrastrukturës në asnjë vend evropian? Do të ishte një gabim shumë, shumë i madh të mendohej kështu", shtoi Kuleba. (A2 Televizion)