Nëse doni të futeni në SHBA do t’iu kontrollojnë postimet në rrjetet sociale për 5 vitet e fundit

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2025, 13:16 | Bota

Nëse doni të futeni në SHBA do t’iu kontrollojnë

Administrata e presidentit Donald Trump po përgatitet të shtrëngojë më tej kontrollet ndaj vizitorëve të huaj që udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara, duke kërkuar që aplikantët të dorëzojnë pesë vitet e fundit të aktivitetit të tyre në rrjetet sociale përpara se të lejohen të hyjnë në vend.

Sipas një propozimi të depozituar të martën nga Shërbimi Amerikan i Doganave dhe Kufirit (CBP), kontrollet e reja do të aplikohen për të gjithë ata që kërkojnë të marrin autorizimin elektronik të udhëtimit (ETA). Ky autorizim u mundëson qytetarëve nga 42 vende të udhëtojnë në SHBA për deri në 90 ditë pa vizë.

Kërkesa e re pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, në një periudhë kur pritet një fluks i madh vizitorësh nga e gjithë bota për shkak të organizimit të ndeshjeve të Botërorit të Futbollit në SHBA.

Aktualisht, aplikantët e programit të heqjes së vizave duhet të paraqesin adresën e banimit, numrin e telefonit, email-in, një kontakt emergjence dhe të paguajnë një tarifë prej 40 dollarësh. Por me ndryshimet e reja, lista e detyrimeve zgjerohet dukshëm: aplikantët do të duhet të deklarojnë të gjitha numrat personalë dhe të biznesit të përdorur në pesë vitet e fundit, adresat e email-it personal dhe të biznesit të përdorura gjatë dekadës së fundit, si dhe të dhënat e anëtarëve të familjes së ngushtë, emrin, datën e lindjes, vendlindjen dhe adresën.

Nëse doni të futeni në SHBA do t’iu kontrollojnë

Po ashtu, aplikantët do t’i nënshtrohen një kontrolli të detajuar të aktivitetit të tyre online, një procedurë që administrata Trump e ka zbatuar tashmë për mbajtësit e vizës H-1B dhe familjarët e tyre. Edhe studentët e huaj, profesorët, studiuesit dhe pjesëmarrësit në programe kulturore ose shkëmbime akademike tashmë kalojnë përmes të njëjtit proces.

Në një udhëzim të Departamentit të Shtetit, zyrtarëve u kërkohet të verifikojnë çdo shenjë të “armiqësisë ndaj qytetarëve, kulturës, institucioneve ose parimeve themeluese të SHBA-së”, si edhe çdo mbështetje të mundshme për terrorizëm, kërcënime të sigurisë kombëtare apo përmbajtje antisemitike të paligjshme.

Krahas këtyre masave, që prej 1 tetorit administrata ka vendosur edhe një tarifë shtesë prej 250 dollarësh për aplikantët nga vende si Brazili, Kina, India dhe Meksika, shtete që nuk janë pjesë e programit të heqjes së vizave.

Kritikët e shohin këtë nismë si një zgjerim drastik të mbikëqyrjes ndaj vizitorëve të huaj, ndërsa mbështetësit argumentojnë se masat e reja synojnë rritjen e sigurisë kombëtare në një kohë tensionesh dhe kërcënimesh të vazhdueshme ndaj SHBA-së. Në çdo rast, udhëtarët e ardhshëm duhet të përgatiten për kontrolle më të gjera dhe procedura më të gjata verifikimi përpara se të marrin lejen për të hyrë në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos