“Nëse Kina sulmon Tajvanin do të ishte fillimi i Luftës III Botërore”

Nga A2 CNN
6 Shtator 2025, 14:15 | Bota

Nëse Kina sulmon Tajvanin, atëherë me shumë mundësi do të niste Lufta III Botërore. Kështu u shpreh në një intervistë në Ditarin e Fundjavës në A2 CNN, me Indrit Marakun, gazetari dhe njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Elton Metaj.

“Kinezët vazhdojnë të ushqejnë politikën e zgjerimit të influencës dhe besoj që targeti i tyre i afërt do të jetë pushtimi i Tajvanit, që është një objektiv historik i tyre. Besoj që është çështje kohe, jo do ta bëjnë ose jo, pasi politika kineze ka bazuar gjithçka te politika e një shteti, duke mos njohur Tajvanin”, tha Metaj, përcjell A2 CNN.

“Megjithatë është një vendim jo i lehtë, sepse Tajvani është një ishull i marrë nën patronazhin amerikan, me investime të mëdha amerikane dhe do të jetë pikërisht ajo pika ku do të mund të provokohet një “duel” mes dy fuqive të mëdha. Në rast se do të jetë një sulm kinez ndaj Tajvanit do të jetë ai starti në një farë mënyrë i një lufte të tretë botërore, nëse do të ndodhë. Kinezët aty do të fokusohen, sigurisht duke tentuar në ndërkohë të bëjnë sa më shumë aleatë”.

Sipas tij, Kanë shpenzuar shuma të mëdha në fuqizimin dhe modernizimin e ushtrisë. Megjithatë, mbetet ende mbrapa Shteteve të Bashkuara. “Edhe buxhetet janë të pakrahasueshme. Gjithashtu Kina mbetet një fuqi rajonale, pasi nuk ka asnjë bazë jashtë rajonit të saj, në ndryshim nga SHBA që ka baza ushtarake në të gjithë globin”.

Ishulli i Tajvanit qeveriset në mënyrë të pavarur që nga viti 1949, kur nacionalistët u tërhoqën atje pas fitores së komunistëve në Kinë. Por Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe këmbëngul në “parimin e një Kine të vetme”. Tajvani e sheh veten si shtet me institucione demokratike dhe ekonomi të fuqishme, megjithatë shumica e vendeve nuk e njohin zyrtarisht Tajvanin, për shkak të presionit diplomatik të Pekinit. Edhe Shtetet e Bashkuara nuk e njohin formalisht Tajvanin, por i ofrojnë armë dhe mbështetje sigurie.

Kina përdor kërcënime ushtarake dhe manovra pranë ishullit për të frenuar aspiratat e pavarësisë tajvaneze, por pavarësisht presioneve, tregtia midis dy vendeve mbetet në nivele të larta. Tajvani është prodhues kryesor global i gjysmëpërçuesve, gjë që e bën strategjikisht të rëndësishëm. Shumë tajvanezë mbështesin ruajtjen e status quo-së, pa shpallur hapur pavarësinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos