
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar Omanin me sulme ushtarake nëse vendi ndërhyn apo pengon përpjekjet e SHBA-së për negociata me Iranin. Deklarata është bërë gjatë një interviste telefonike me televizionin Fox News, ndërsa tensionet në rajon mbeten të larta.
Sipas gazetarit të Fox News, Trey Yingst, Trump ka deklaruar se nëse Omani do të pengonte përpjekjet amerikane, SHBA-ja do ta “bombardonte deri në fund”. Kërcënimi vjen në një moment kur Omani po luan një rol të rëndësishëm ndërmjetësues në bisedimet për situatën në Ngushticën e Hormuzit.
Omani e ka cilësuar veten si një shtet neutral në konflikt dhe ka marrë pjesë në përpjekjet diplomatike për të mundësuar rihapjen e kësaj rruge strategjike detare. Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë, përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimeve globale me naftë dhe gaz të lëngshëm.
Tensionet u shtuan pasi autoritetet iraniane njoftuan se kishin arritur një mirëkuptim për një “hartë rrugore” që do të mundësonte tranzitin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se palët po punonin për finalizimin e detajeve përpara publikimit të një deklarate të përbashkët.
Omani ka deklaruar më herët se bisedimet me Iranin kanë qenë pozitive dhe se po përpiqet të ndihmojë në uljen e tensioneve dhe rikthimin e lëvizjes së lirë të anijeve.
Gjatë së njëjtës intervistë, Trump pretendoi gjithashtu se SHBA-ja kishte një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Pretendimi u mohua nga një zëdhënës i IRGC-së, i cili deklaroi se nuk ka bisedime mes zyrtarëve të Gardës Revolucionare dhe amerikanëve.
Trump, ndërkohë, tha se nuk ishte me nxitim për t'i dhënë fund konfliktit me Iranin.
“Janë lojtarë të mirë pokeri, por po vdesin”, citohet të ketë thënë presidenti amerikan, duke shtuar se nuk kishte vendosur një afat për përfundimin e luftës.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump theksoi se objektivi kryesor i SHBA-së mbetet parandalimi i Iranit nga posedimi i armëve bërthamore.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe arritjen e një marrëveshjeje mes SHBA-së dhe Iranit vijojnë, ndërsa përfundimi i memorandumit të mirëkuptimit mes dy vendeve shton presionin mbi palët. (A2 Televizion)