
Një gjykatë në rajonin e Pskov ka dënuar me 11 vjet e një muaj burg Lev Shloberg, nënkryetarin e partisë opozitare liberale ruse Yabloko, me akuzën për "diskreditim" dhe përhapje "lajmesh të rreme" rreth ushtrisë ruse, raporton Moscoë Times.
Shloberg do të vuajë dënimin e tij në një koloni penale, për kritikimin e luftës në Ukrainë, të cilën ai e përshkroi në gjyqin e tij si një katastrofë për Rusinë.
Vendimi vjen pas vendimit të Gjykatës Supreme Ruse të 10 gushtit për të ndaluar Yabloko-n të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të muajit të ardhshëm.
Në deklaratën e tij në gjyq, Lev Shlosberg përshkroi se si "mijëra e mijëra" njerëz janë shënjestruar në Rusi për bindjet e tyre "paqësore, jo të dhunshme dhe humaniste".
"Në realitet në këtë sallë gjyqi, unë jam Federata Ruse, e cila është mbyllur në kafaz dhe po heshtet", shtoi ai.
Marie Struthers, Drejtoreshë e Amnesty International për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, tha se "gjykimi dhe dënimi arbitrar i Shlosbergut janë një hakmarrje e qartë për ushtrimin e të drejtës së tij për lirinë e shprehjes dhe thirrjen për paqe."
"Përjashtimi i partisë Yabloko nga zgjedhjet e Dumës Shtetërore në shtator është një provë e mëtejshme se pluralizmi politik dhe qëndrimet pacifiste nuk kanë vend në Rusinë e sotme," shtoi ajo. (A2 Televizion)