"Nëse SHBA sulmon Groenlandën, NATO merr fund"

Nga A2 CNN
6 Janar 2026, 08:24 | Bota
"Nëse SHBA sulmon Groenlandën, NATO merr fund"

Një sulm nga Shtetet e Bashkuara ndaj një aleati të NATO-s do të nënkuptonte fundin si të aleancës ushtarake, si edhe të “sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore”, ka paralajmëruar kryeministrja e Danimarkës, pasi Donald Trump kërcënoi sërish se do të merrte nën kontroll Groenlandën.

Pas operacionit ushtarak në Venezuelë, presidenti amerikan tha të dielën se SHBA-të kishin shumë nevojë për Groenlandën, duke ringjallur frikën për një pushtim amerikan të ishullit kryesisht autonom, i cili është një ish-koloni daneze dhe mbetet pjesë e mbretërisë së Danimarkës. Politika e jashtme dhe e sigurisë e Groenlandës vazhdon të kontrollohet nga Kopenhaga.

Mette Frederiksen, kryeministrja e Danimarkës, paralajmëroi të hënën se çdo sulm amerikan ndaj një aleati të NATO-s do të ishte fundi i “gjithçkaje”.

“Nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të sulmojnë ushtarakisht një vend tjetër të NATO-s, atëherë gjithçka do të ndalet – përfshirë NATO-n dhe, rrjedhimisht, sigurinë pas Luftës së Dytë Botërore,” tha Frederiksen për rrjetin televiziv danez TV2.

Pozicioni strategjik i Groenlandës mes Europës dhe Amerikës së Veriut e bën atë një pikë kyçe për sistemin amerikan të mbrojtjes nga raketat balistike. Burimet e saj të rëndësishme minerare përputhen gjithashtu me ambicien e Uashingtonit për të reduktuar varësinë nga eksportet kineze.

Komentet e Frederiksen erdhën pasi kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, bëri një deklaratë jashtëzakonisht të drejtpërdrejtë, në të cilën i kërkoi Trumpit të hiqte dorë nga “fantazitë për aneksim” dhe akuzoi SHBA-të për retorikë “krejtësisht dhe plotësisht të papranueshme”, duke deklaruar: "Boll më".

“Kërcënimet, presioni dhe fjalët për aneksim nuk kanë vend mes miqsh,” tha Nielsen në një postim në rrjetet sociale. “Kështu nuk i flitet një populli që ka treguar përgjegjësi, stabilitet dhe besnikëri herë pas here. Mjaft është mjaft. Asnjë presion më. Asnjë nënkuptim më. Asnjë fantazi më për aneksim.”

Duke folur më vonë në një konferencë për shtyp në kryeqytetin Nuuk, Nielsen u përpoq të qetësonte frikën për një marrje të menjëhershme të kontrollit nga SHBA-të.

“Nuk jemi në një situatë ku mendojmë se një marrje nën kontroll e vendit mund të ndodhë brenda natës,” tha Nielsen, duke folur përmes një përkthyesi. “Nuk mund ta krahasoni Groenlandën me Venezuelën. Ne jemi një vend demokratik". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos