
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, ka paralajmëruar se konflikti në Lindjen e Mesme ka dalë “jashtë kontrollit”, duke shtuar se bota po përballet me rrezikun e një lufte edhe më të gjerë.
Në deklaratën e tij, Guterres u shpreh se është “koha e duhur” që SHBA dhe Izraeli t’i japin fund luftës ndaj Iranit, ndërsa i bëri thirrje edhe Teheranit të ndalojë sulmet ndaj vendeve fqinje që nuk janë pjesë e konfliktit.
Ai theksoi se përshkallëzimi i mëtejshëm vetëm sa rrit rrezikun për destabilizim rajonal dhe global, duke kërkuar një kthim urgjent drejt diplomacisë.
“Është koha të ndalet ngjitja në shkallën e përshkallëzimit dhe të nisë rruga e diplomacisë, me respekt të plotë për të drejtën ndërkombëtare,” u shpreh kreu i OKB-së.
Deklarata vjen në një moment kur tensionet në rajon mbeten të larta dhe përplasjet ushtarake vazhdojnë, duke shtuar shqetësimet për një përfshirje më të gjerë ndërkombëtare në konflikt. (A2 Televizion)