Një tjetër tragjedi ka ndodhur në kryeqytetin e Libanit, Bejrut. Një sulm masiv izraelit goditi lagjen me popullsi të dendur Basta, në kryeqytetin libanez, duke vrarë të paktën 29 njerëz të shtunën, përfshirë fëmijë, duke e bërë atë bombardimin më vdekjeprurës të qytetit në vitin e fundit.
Më shumë se 48 orë më vonë, punonjësit e mbrojtjes civile ishin ende duke gërmuar nëpër mbetjet e ndërtesës tetëkatëshe, tashmë të reduktuar në një krater të madh, shkruan A2 CNN.
Autoritetet izraelite nuk kanë komentuar mbi sulmin. Izraeli thotë se ka në shënjestër grupin e armatosur libanez Hezbollah dhe se lëshon paralajmërime evakuimi për civilët për të minimizuar rreziqet për ta përpara bombardimeve. Por, agjencia e lajmeve Reuters bën me dije se Izraeli nuk bëri ndonjë paralajmërim evakuimi përpara sulmit në Basta të Libanit.
Ndërkohë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ndodhet nën një presion të madh nga ushtria izralite dhe opozita për të arritur një armëpushim me Hezbollahun në Liban. Media izrelite Channel 12 bën me dije se ushtria izraelite ka paralajmëruar kryeministrin Benjamin Netanyahu se ka ardhur koha për një armëpushim në Liban, duke cituar një ndihmës të ngushtë të Netanyahut.
Ushtria ka arritur qëllimet e saj për të shkatërruar infrastrukturën e Hezbollahut përgjatë kufirit dhe për të eliminuar mundësinë e një sulmi në veri të Izraelit duke larguar Hezbollahun, duke reduktuar në mënyrë dramatike arsenalin e tij të raketave, i është bërë me dije kryeministrit të Izraelit. Por, nëse përpjekjet për të arritur një armëpushim dështojnë, thotë Channel 12, IDF planifikon të zgjerojë operacionet e tyre në Liban.
Sakaq, burime konfidenciale për CNN bëjnë me dije se kabineti izraelit do të votojë për një marrëveshje armëpushimi në Liban të martën. Reagimi vjen pas lajmeve se Benjamin Netanyahu ka rënë në parim dakord për një armëpushim me Hezbollahun. Izraeli ka ende rezerva për disa detaje të marrëveshjes, të cilat pritej t'i transmetoheshin qeverisë libaneze të hënën, thekson CNN. (A2 Televizion)