
Në përvjetorin e katërt të pushtimit rus, Ukraina ka arritur suksesin e saj më të madh në fushëbetejë që nga vera e vitit 2024, falë një avancimi të koordinuar në sektorin jugor të frontit, raporton A2CNN.
Brigadat sulmuese ukrainase po shfrytëzojnë kushtet e vështira të motit, mjegullën e dendur dhe reshjet e borës, për të kryer lëvizje të shpejta dhe të befasishme. Grupe të vogla prej tre ose katër mjetesh të blinduara depërtojnë me shpejtësi drejt fshatrave të shkatërruara në “zonën gri”. Operacioni përsëritet sa herë që qielli ofron mbrojtje nga dronët, duke konsoliduar kontrollin në pika kyçe të frontit.
Prej më shumë se një muaji, forcat ukrainase po avancojnë në disa drejtime në Jug: fillimisht në zonën e Zaporizhzhias, ku terreni i rrafshët lehtëson lëvizjen e mjeteve të blinduara, dhe më pas më në Veri, pranë Huliapoles, në kufi me Donetskun. Sipas vlerësimeve, janë rimarrë rreth 150 kilometra katrorë territor, një sukses i rëndësishëm simbolik dhe strategjik për Kievin.
Shumë analistë i shohin këto zhvillime si shenjë të dobësimit të ushtrisë ruse. Që nga fillimi i janarit, ofensiva ruse është ngadalësuar ndjeshëm. Fillimisht, temperaturat ekstreme, shpesh nën -15 gradë Celsius, penguan përdorimin efektiv të dronëve, armës kryesore të kësaj lufte ku Rusia ka pasur epërsi. Era dhe ngricat reduktuan efikasitetin si të dronëve të telekomanduar, ashtu edhe të atyre që operojnë me fibra optike.
Më pas, situata u përkeqësua për Moskën nga një faktor i papritur: bllokimi i terminaleve Starlink që forcat ruse kishin përdorur në masë, duke i futur kontrabandë për të anashkaluar embargon. Në fillim të shkurtit, një marrëveshje mes Kievit dhe kompanisë së Elon Musk çoi në çaktivizimin masiv të këtyre terminaleve në zonat e kontrolluara nga Rusia.
Kjo shkaktoi probleme serioze koordinimi për njësitë ruse: Vështirësi në transmetimin e urdhrave, në dërgimin e informacionit nga fronti dhe në funksionimin e armëve moderne që mbështeten në lidhje satelitore, si dronët e zbulimit me rreze të gjatë apo robotët tokësorë.
Pa lidhjet satelitore, u dobësua ndjeshëm taktika ruse e krijimit të një “zone vdekjeje” në thellësi të territorit ukrainas, një brez zjarri deri në 30-40 kilometra pas vijës së frontit, ku dronët zbulonin çdo lëvizje dhe kryenin goditjet e duhura. Një gjë e tillë kishte penguar për muaj me radhë furnizimet dhe përforcimet ukrainase.
Me zhdukjen e përkohshme të këtij avantazhi, forcat e Kievit arritën të riorganizohen: të dërgojnë ushqime dhe municione, të zëvendësojnë njësitë e lodhura dhe të përgatisin sulme pa u zbuluar paraprakisht.
Megjithatë, zyrtarët ukrainas tregohen të kujdesshëm. Komandanti i Regjimentit të Parë Sulmues, Dmytro “Rrufeja” Filatov, theksoi se nuk bëhet fjalë për një kundërofensivë të plotë. “Ne po përmirësojmë situatën taktike në disa zona dhe po forcojmë pozicionet tona,” deklaroi ai, duke shtuar se synimi është të detyrohet armiku të shpenzojë burimet për t’i ndalur, duke i penguar të grumbullojë rezerva për sulme të mëdha. (A2 Televizion)