
Presidenti Trump tha të hënën se Gjenerali Dan Caine beson se çdo veprim i mundshëm ushtarak i urdhëruar kundër Iranit do të sjellë një fitore të lehtë për SHBA-të. Por duket se nuk është kjo ajo çka Gjenerali Caine i ka thënë Trump-it dhe këshilltarëve të tjerë të lartë në takimet e fundit të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë për Iranin, sipas personave të informuar mbi diskutimet e brendshme të administratës, raporton A2CNN.
Përkundrazi, Gjenerali Caine ka thënë se SHBA-të kanë grumbulluar forca në Lindjen e Mesme për të kryer një sulm në shkallë të vogël apo mesatar, por se ekziston një rrezik potencialisht i lartë për viktima amerikane dhe se një operacion i tillë do të kishte ndikim negativ në rezervat e armëve të SHBA-së. Ai gjithashtu ka theksuar se operacionet e shqyrtuara në Iran do të ishin shumë më të vështira sesa kapja e suksesshme e Presidentit Nicolás Maduro të Venezuelës muajin e kaluar.
Ky mospërputhje e dukshme nënvizon ekuilibrin delikat që po mban Gjenerali Caine, si këshilltari kryesor ushtarak i presidentit: Paraqitjen e një sërë opsionesh ushtarake për komandantin e përgjithshëm, së bashku me rreziqet dhe pasojat e mundshme të tyre, pa dhënë mendimin e tij personal për një zgjedhje të caktuar.
Një zëdhënës i Shtabit të Përbashkët të ushtrisë refuzoi të komentojë mbi deklaratat e Trump.
Komenti i Trump-ut erdhi përmes një postimi në rrjetet sociale dhe duket se u nxit nga raportimet në The New York Times dhe media të tjera mbi opsionet ushtarake që ai po shqyrton nëse Irani nuk heq dorë nga programi i tij bërthamor.
The Times raportoi të dielën se Trump u kishte thënë këshilltarëve se, nëse diplomacia ose ndonjë sulm fillestar i synuar nga SHBA nuk do ta bindte Iranin të pranonte kërkesat e tij për të braktisur programin bërthamor, ai do të merrte në konsideratë një sulm shumë më të madh në muajt e ardhshëm, me qëllim largimin nga pushteti të udhëheqësve të atij vendi.
Megjithëse nuk janë marrë vendime përfundimtare, sipas raportimit të The Times, Trump ka qenë i prirur të kryejë një sulm fillestar në ditët në vijim për t’u treguar udhëheqësve të Iranit se duhet të jenë të gatshëm të heqin dorë nga aftësia për të zhvilluar një armë bërthamore.
Objektivat që po shqyrtohen përfshijnë selinë e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, objektet bërthamore të vendit dhe asetet e programit të raketave balistike. Nëse këto hapa nuk do ta bindnin Teheranin të përmbushte kërkesat e tij, Trump u ka thënë këshilltarëve se do të linte të hapur mundësinë e një sulmi ushtarak po përgjatë këtij viti, me synimin për të ndihmuar në rrëzimin e Ajatollah Ali Khameneit, udhëheqësit suprem të Iranit.
“Gjenerali Caine, si të gjithë ne, do të donte të mos shihte luftë, por nëse merret një vendim për të vepruar ushtarakisht kundër Iranit, sipas mendimit të tij do të ishte diçka që fitohet lehtësisht,” tha Trump në postimin e tij. (A2 Televizion)