Presidenti kinez Xi Jinping paralajmëroi se bota përballet me një zgjedhje mes luftës dhe paqes, gjatë paradës madhështore ushtarake të mbajtur në Pekin, në një shfaqje të paprecedentë të forcës.
Me një kostum të stilit tunik, të veshur dikur nga Mao Ce Duni, Jinping parakaloi në tapetin e kuq i shoqëruar nga 25 udhëheqës botërorë, mes tyre edhe liderët e izoluar nga Perëndimi, Kim Jong Un dhe Vladimir Putin, shkruan A2 CNN. Ngjarja, që shënon 80-vjetorin e fitores së Kinës ndaj Japonisë pushtuese në fund të Luftës së Dytë Botërore, u bojkotua nga pjesa më e madhe e liderëve perëndimorë. Kryeministri sllovak Robert Fico dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç ishin të vetmit liderë europianë të pranishëm në event.
E konceptuar për të treguar fuqinë ushtarake dhe diplomatike të Kinës, parada u zhvillua në një kohë kur tarifat dhe politikat e tjera shpërthyese të presidentit amerikan Donald Trump kanë tendosur në maksimum marrëdhëniet me aleatë dhe rivalë.
“Kina është një vend i madh që nuk e ka frikë dhunën dhe që qëndron e pavarur dhe e fuqishme. Në të kaluarën është përballur me beteja për jetë a vdekje mes drejtësisë dhe të keqes, dritës dhe errësirës, dhe populli ynë ia doli të qëndrojë i bashkuar dhe të rezistojë. Sot njerëzimi përballet sërish me zgjedhjen mes paqes dhe luftës, dialogut dhe konfrontimit. Populli kinez qëndron i vendosur në anën e drejtë të historisë, të civilizimit dhe progresit”, u shpreh Xi Jinping.
Më pas, siç kërkon tradita, me limuzinën e tij Jinping inspektoi trupat dhe armatimet e avancuara ushtarake që mbushën sheshin Tiananmen: raketa hipersonike, dronë nënujorë dhe të ashtuquajturit “ujqërit robotë”. Helikopterë me banera gjigantë dhe avionë lufte fluturuan në formacione gjatë një spektakli 70-minutësh, që kulmoi me lëshimin e 80 mijë zogjve të paqes, siç u quajtën.
Në këtë paradë madhështore, Kina zbuloi arsenalin e plotë, përfshirë raketën balistike ndërkontinentale DF-61, të aftë për të transportuar testata bërthamore. Ranë në sy dronët gjigantë nënujorë dhe ata të pagëzuar si “kahu besnik”, të cilët mund të fluturojnë përkrah avionëve luftarakë dhe t’i ndihmojnë në misione luftarake.
I ulur mes Putin dhe Kim Jong Un në tribunë, Xi Jinping vazhdimisht u angazhua në bisedime me ta, teksa mijëra trupa dhe pajisje parakalonin para tyre. Parada nuk synon vetëm të projektojë madhështinë dhe fuqinë e Kinës për botën jashtë, por edhe të forcojë shpirtin patriotik brenda vendit. (A2 Televizion)