
Kjo nuk është një videolojë me temë lufte. Është një video rekrutimi e krijuar për të bindur studentët t’i bashkohen forcave ruse të dronëve.
“Ju kanë thënë se po humbisni kohën duke luajtur videolojëra”, thuhet në këtë klip. “Por ekziston një vend ku përvoja juaj është veçanërisht e vlefshme.”
Këto video, të cilat nisën të shfaqeshin në faqet e universiteteve dhe në rrjetet sociale në fillim të vitit, reklamojnë kontrata ushtarake në Forcat e reja Ruse të Sistemeve Pa Pilot.
Në ekran shfaqet një lojtar videolojërash në të majtë dhe një operator droni në të djathtë. Një universitet e kishte shoqëruar videon me mbishkrimin: “Zgjidh pamjen e duhur.”
Por pas kësaj fushate tërheqëse marketingu fshihet një anë më e errët. Pak studentë janë të gatshëm të flasin publikisht, por disa prej atyre që kemi kontaktuar kanë treguar në mënyrë anonime se presioni ndaj tyre po rritet.
“Gjithçka ndryshoi këtë vit,” shkroi një student. “Tani të gjithë drejtuesit kryesorë të universitetit po u bëjnë thirrje studentëve të shkojnë në luftë.”
Studentët që rrezikojnë të ngelin në mësime janë shpesh objektiv i këtyre përpjekjeve – diçka që nuk përputhet me pretendimin për krijimin e një brigade elitare.
Në një video të dërguar për CNN nga një student, një grua u thotë studentëve: “Po të isha në vendin tuaj, do ta konsideroja mundësinë për t’iu bashkuar forcave të dronëve. Do të jetë sikur kreditet që ju mungojnë të mos kenë ekzistuar kurrë.”
Një student tjetër tregoi se, brenda një dite të vetme në shkurt, universiteti i tij pothuajse përjashtoi një të tretën e grupit dhe i detyroi të nënshkruanin kontrata në vend për të ruajtur statusin e studentit.
Përmes videove, posterave dhe takimeve personale – ndonjëherë edhe me ushtarë që shërbejnë në Ukrainë – studentëve u premtohet një përvojë më e lehtë lufte: një kontratë njëvjeçare, mundësia për të shërbyer larg vijës së frontit, pagesa të mëdha dhe aftësi të avancuara teknologjike.
E megjithatë…
Një student shprehet: “E gjitha është një mashtrim. Është thjesht një kontratë e zakonshme me ushtrinë ruse, pa afat të caktuar dhe pa kushte të veçanta.”
Ky është detaji i fshehur në shkronjat e vogla. Një dekret rus i vitit 2022 për mobilizimin, i cili nuk është shfuqizuar kurrë, përcakton se çdo kontratë ushtarake mbetet në fuqi derisa dekreti të revokohet. Nuk ka përjashtime dhe nuk ka garanci.
Ekspertët dhe aktivistët kundër luftës thonë se nuk ka siguri se rekrutët do të përfundojnë në njësitë e dronëve.
Eksperti Grigory Sverdlin thotë: “Sapo një person nënshkruan kontratën, ai bëhet praktikisht i varur plotësisht nga Ministria e Mbrojtjes dhe mund të dërgohet në cilëndo njësi që ajo e konsideron të nevojshme.”
Nuk është ende e qartë se sa studentë janë rekrutuar deri tani. Ministria Ruse e Mbrojtjes nuk iu përgjigj kërkesës së CNN për koment. Megjithatë, studentët me të cilët folëm nuk duken të bindur.
“Nuk më duket aspak bindëse kjo marrëzi,” shkroi njëri prej tyre. “Jam thellësisht kundër propagandës ushtarake mes shokëve të mi të universitetit.”
“Askush nuk po mendon të nënshkruajë kontratë, madje as ata që ndodhen në vështirësi të mëdha financiare,” shkroi një tjetër.
Humbjet ruse në Ukrainë janë shtuar gjatë muajve të fundit dhe sistemi i joshjes së ushtarëve me paga të larta dhe shpërblime po përballet me vështirësi gjithnjë e më të mëdha.
Kateryna Stepanenko shprehet: “Ka shumë vlerësime që tregojnë se rekrutimi po bëhet gjithnjë e më i kushtueshëm për Kremlinin, prandaj presioni dhe detyrimi po bëhen më të dukshme.”
“Beteja kryesore për paqen zhvillohet brenda teje,” thuhet në një nga videot e rekrutimit.
Ndërkohë, beteja e brendshme e Rusisë për të siguruar më shumë personel ushtarak po intensifikohet. (A2 Televizion)