Ngushtica e Hormuzit nis të gjallërohet, 5 anije kalojnë pas bllokimit disa javor

Nga A2 CNN
3 Prill 2026, 20:01 | Bota

Ngushtica e Hormuzit nis të gjallërohet, 5 anije kalojnë pas

Të paktën pesë anije kanë kaluar gjatë 24 orëve të fundit përmes Ngushtica e Hormuzit, duke sinjalizuar një lëvizje të kujdesshme drejt rifillimit të trafikut në një nga korridoret më të rëndësishme të energjisë në botë.

Sipas të dhënave të navigacionit detar, mes anijeve që përshkuan ngushticën ishin tre cisterna nafte nën menaxhim të Omanit, një anije kontejnerësh franceze dhe një anije japoneze për gaz të lëngshëm natyror (LNG).

Zhvillimi vjen pasi Iran ka deklaruar se do të lejojë kalimin vetëm të anijeve nga vende që i konsideron “jo armiqësore”. Teherani kishte mbyllur Ngushticën e Hormuzit në fund të shkurtit, pas përshkallëzimit të konfliktit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izrael, duke paralizuar trafikun detar në zonë.

Tregjet globale po e ndjekin nga afër situatën, pasi bllokimi i këtij korridori kishte ndikuar drejtpërdrejt në furnizimin me naftë dhe mallra. Megjithëse disa anije arritën të largoheshin në fazat e para të krizës, më pas qarkullimi u ndërpre pothuajse plotësisht.

Një nga anijet që kaloi ishte e kompanisë franceze CMA CGM, e cila ndryshoi destinacionin në sistemin e identifikimit për të sinjalizuar kombësinë franceze, në një përpjekje për të shmangur rreziqet gjatë kalimit. Në të njëjtën kohë, presidenti Emmanuel Macron ka theksuar se vetëm rruga diplomatike mund të çojë në rihapjen e plotë të ngushticës.

Raportohet gjithashtu se disa anije kanë çaktivizuar sinjalet e identifikimit gjatë kalimit, duke u zhdukur përkohësisht nga radarët.

Ndërkohë, situata mbetet e brishtë. Rreth 45 anije japoneze vijojnë të jenë të bllokuara në rajon, ndërsa vetëm disa prej tyre kanë arritur të largohen. Kalimi i fundit përfshin edhe një tanker LNG japonez, i pari i këtij lloji që largohet nga zona që prej nisjes së krizës.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos