Ukraina ka shprehur gatishmërinë për të blerë armë amerikane në vlerë prej 100 miliardë dollarësh, me financim nga Europa, si pjesë e një marrëveshjeje për të fituar garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara pas përfundimit të luftës. Lajmi u publikua nga Financial Times, duke iu referuar propozimeve të paraqitura në Uashington.
Sipas raportit, paralelisht pritet të nënshkruhet edhe një marrëveshje prej 50 miliardë dollarësh për prodhimin e dronëve në bashkëpunim mes kompanive amerikane dhe ukrainase, përcjell A2 CNN.
Gjatë takimit në Zyrën Ovale me presidentin Volodymyr Zelensky të hënën, Donald Trump tha se kishte rënë dakord të ofronte mbështetje ushtarake për Kievin pas luftës, duke premtuar “mbrojtje shumë të mirë dhe siguri shumë të mirë”. Megjithatë, mbetet e paqartë se deri ku do të shtrihet ndihma amerikane. I pyetur për ndihmën e mëtejshme ushtarake për Ukrainën, Trump theksoi: “Ne nuk po japim asgjë. Ne po shesim armë”.
Në marrëveshje mund të përfshihen edhe sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot, për të cilat Ukraina ka shprehur interes të veçantë, me synim mbrojtjen e qyteteve dhe infrastrukturës kritike nga sulmet ruse. (A2 Televizion)