Pothuajse një muaj pasi pasagjeri i parë vdiq nga hantavirusi në bordin e anijes turistike MV Hondius, ajo më në fund ka mbërritur në Tenerife në Ishujt Kanarie të Spanjës. Janë duke u bërë përgatitje intensive për të pritur anijen në portin e Granadijës dhe për të ndihmuar më shumë se 100 njerëz të zbresin në breg për t'u riatdhesuar. Një perimetër sigurie prej një milje detare do të zbatohet rreth anijes.
Operacioni kompleks për të parandaluar përhapjen e llojit të rrallë të Andeve të këtij virusi përshkruhet nga ministri i shëndetësisë i Spanjës si “i pashembullt”. Duke përfshirë 23 vende, është planifikuar me kujdes për siguri maksimale dhe për t'iu përgjigjur shqetësimeve të vendasve të pakënaqur. Ndër ta është edhe presidenti i Ishujve Kanarie, i cili thotë se “nuk do të qetësohet” derisa të largohen të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi.
Masat e sigurisë në port, një strukturë industriale në jug të Tenerife-s, u rritën ndjeshëm të shtunën. Policia ushtarake spanjolle dhe ekipet e reagimit ndaj fatkeqësive kanë ngritur tenda të mëdha pritjeje dhe qasja në bregdet është e kufizuar.
“Shqetësimi është i ligjshëm sepse trauma e Covid është ende e pranishme, ne e kuptojmë këtë, por situata është më e mirë tani”, tha Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanam Ghebreysus, për mediat në Tenerife. “Dua që njerëzit e Tenerife-s të besojnë në atë që po themi”, shtoi ai, duke theksuar rëndësinë e “solidaritetit” dhe ofrimit të “një përgjigjeje më efektive”.
Sa i përket përhapjes nuk ka pasur raste të reja në botë, teksa shtetet janë vënë në garë me kohën për të gjurmuar dhe izoluar njerëzit që kanë pasur kontakt me pasagjerët e anijes MV Hondius. (A2 Televizion)