Zëvendëspresidentja Kamala Harris, pas nominimit nga ana e Joe Biden si kandidate e mundshme për garën presidenciale, nuk ka humbur kohë duke nisur fushatën elektorale, duke kërkuar mbështetjen e kolegëve demokratë.
Megjithatë, Harris do të duhet të presë Konventën e Demokratëve më 19-22 gusht në mënyrë që të marrë një nominim zyrtar.
Shumica e senatorëve demokratë janë grupuar përreth figurës së Kamala Harris, si e para grua me ngjyrë që synon të marrë çelësat e Shtëpisë së Bardhë. Zyrtarët e fushatës së saj dhe aleatët bënë qindra thirrje në emër të Harris, duke u kërkuar delegatëve në konventën e Partisë Demokratike që të bashkohen në emërimin e saj për presidente në zgjedhjet e 5 nëntorit kundër republikanit Donald Trump.
Mediat ndërkombëtare theksojnë se kur Kamala Harris nisi fushatën e saj, rreth 46.7 milionë dollarë janë mbledhur nga donatorë të vegjël. Nga ana e saj, Harris foli me guvernatorin e Pensilvanisë, Josh Shapiro, një kandidat potencial për zëvendëspresident, udhëheqësin demokrat të Dhomës Hakeem Jeffries në mënyrë që të njoftonte hapat e ardhshëm.
Për Donald Trump, "Harris do të jetë më e lehtë për t'u mposhtur sesa do të kishte qenë Joe Biden", pohoi ai për CNN menjëherë pas njoftimit të Biden.
Sakaq, të dhëna të tjera kanë janë bërë publike për arsyen e largimit të Joe Biden nga gara presidenciale. CNN bën me dije se, asnjë arsye shëndetësore nuk luajti rol në vendimin e Joe Biden për t'u tërhequr.
Kështu është shprehur një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për median prestigjioze amerikane. Në javët e fundit presidenti kishte bërë me dije se vetëm një arsye shëndetësore do ta kishte shtyrë atë të braktiste garën.
Faktet tregojnë citon BBC, se Biden e mori vendimin për të lënë garën presidenciale i vetëm, por vendimin e konsultoi me një grup të ngushtë këshilltarësh në shtëpinë e tij të pushimit në Delaëere.
Megjithëse, Biden nuk e përmendi Harris në deklaratën e tij fillestare, ai postoi në X mbështetjen e tij për zëvendëspresidenten rreth gjysmë ore pas marrjes së vendimit. Shumë zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë dhe në fushatën elektorale nuk ishin të informuar paraprakisht për planet e Biden. Ajo u mor vesh nga postimi në rrjetet sociale. (A2 Televizion)