“Nuk jemi në luftë me Iranin”, thotë zv.presidenti Vance

Nga A2 CNN
22 Qershor 2025, 16:14 | Bota

“Nuk jemi në luftë me Iranin”, thotë zv.presidenti

Zv.presidenti JD Vance, në komentet e tij të para publike që nga momenti kur Presidenti Donald Trump autorizoi sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane, theksoi se Shtetet e Bashkuara “nuk janë në luftë” me Iranin, ndërsa shpjegoi procesin e vendimmarrjes së presidentit.

“Nuk jemi në luftë me Iranin. Jemi në luftë me programin bërthamor të Iranit”, tha Vance në një intervistë për emisionin e NBC-së “Meet the Press me Kristen Welker”, duke i quajtur sulmet një “dëshmi e fuqisë së ushtrisë amerikane”.

I pyetur se çfarë informacioni të inteligjencës çoi në këtë vendim, Vance tha: “Kishim një dritare të vogwl mundësie. Mund të mos kishim qenë në gjendje të realizonim këtë sulm pas gjashtë muajsh… Kishim një mundësi të shkurtër në të cilën mund ta kthenim shumë prapa atë program. Do të kishte qenë e papërgjegjshme, sipas mendimit tim, që presidenti të mos ndërmerrte këtë veprim”, tha ai.

Vance shtoi: “Sigurisht që i besojmë komunitetit tonë të inteligjencës, por i besojmë edhe instinkteve tona… Iranianët nuk po negocionin në mirëbesim, ky ishte katalizatori i vërtetë”.

Zv.presidenti gjithashtu sugjeroi se Trump arriti në përfundimin për të autorizuar sulmet pasi i kishte dhënë Iranit disa “ultimatume”, të cilat ai nuk pranoi t’i detajonte.

CNN kishte raportuar më herët se Trump i kishte dhënë Iranit një afat 60-ditor në prill për të negociuar, duke i kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të shtynte një sulm ndaj vendit për t’i lënë kohë bisedimeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos