Shpëtojnë për mrekulli zyrtarët europianë, droni rus godet trenin pranë kufirit polak: Kërcënim serioz

Nga Rosalba Bejdo
14 Shtator 2026, 14:44 | Bota

Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës merr përmasa gjithmonë e më të frikshme… Një dron i Moskës goditi një tren pranë kufirit mes Ukrainës dhe Polonisë, pak pasi ish-kryeministri britanik Boris Johnson dhe zyrtarë të lartë të sigurisë europiane kishin kaluar në të njëjtën linjë hekurudhore pas pjesëmarrjes në një konferencë në Kiev.

Autoritetet thanë se nuk ishin shkaktuar viktima dhe se pasagjerët në tren ishin evakuuar, por rasti sinjalizon përshkallëzim të qëndrimit të Moskës dhe ngre shqetësime serioze mbi sigurinë e diplomatëve e udhëheqësve që vizitojnë Ukrainën.

Shefja e politikës së jashtme të BE, Kaja Kallas, tha se qëllimi i Moskës ishte të intimidonte vendet perëndimore për mbështetjen e tyre ndaj Ukrainës.

Kaja Kallas: Unë mendoj se qartësisht synon të frikësojë vendet perëndimore që të mos mbështesin Ukrainën dhe që të mos shkojnë në Ukrainë për të treguar mbështetjen e tyre. Ky ishte qëllimi; ishte qartësisht një mesazh për botën perëndimore.

Moska pretendon se kishte shënjestruar infrastrukturën hekurudhore në Ukrainën perëndimore, por operatori hekurudhor i këtij shteti tha se me gjasë objektiv i dronit ishte treni diplomatik. Në një deklaratë, operatori hekurudhor sqaroi se treni diplomatik ishte larguar nga stacioni më herët nga ç’ishte parashikuar për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme të sulmeve ruse.

Ish-shefi i CIA-s, David Petraeus, i cili kishte qenë në bordin e një tjetër treni në stacionin e Yahodyn në momentin e sulmit, e cilësoi incidentin si tronditës. Në një intervistë për Nju Jork Times, Petraeus foli për akt të një lideri barbar, që synonte terrorizimin e civilëve ukrainas.

Ish-kryeministri suedez, Carl Bild, që mori pjesë në konferencën në Kiev dhe që gjendej në një tjetër tren, tha se ishin njoftuar të përgatiteshin për evakuim.

Sulmi, i ndodhur 2 km larg kufirit polak, u cilësua si përshkallëzim nga autoritetet në Varshavë, ndërsa kancelari Fridrih Merz paralajmëroi se paqja në Europë ishte në rrezik dhe se kërcënimi duhej të merrej seriozisht.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos