Ukraina është e bindur se, Putin është i gatshëm të përdorë armët bërthamore nëse Rusia ndjen mposhtjen në fushën e betejës. Në intervistën për median britanike The Time, Oleksandr Lytvynenko, Kreu i Këshillit të Sigurimit të Kievit tha se, Putin mund të përdorë armë taktike bërthamore.
"Ne nuk mund të përjashtojmë asgjë, nëse Rusia është në prag të një disfate katastrofike. Një humbje e tillë, mund të shkaktojë kolapsin e linjave të frontit rus, dezertime të ushtrisë dhe protesta në Moskë”.
Zyrtarët rusë kanë bërë kërcënime të shpeshta për të lëshuar armë bërthamore në Ukrainë ose në vendet perëndimore që nga pushtimi në vitin 2022.
Megjithatë, shpeshtësia e kërcënimeve e ka zbehur ndikimin e tyre dhe disa zyrtarë në Perëndim kanë thënë se Putini po luan bllofin në një përpjekje për të frikësuar Aleatët e Kievit.
Kina ka thënë gjithashtu se çdo përshkallëzim bërthamor në konflikt është i papranueshëm. (A2 Televizion)