Vogëlushja ukrainase me leukemi shkoi për t’u kuruar në në Izrael, vritet nga një raketë iraniane

Nga A2 CNN
18 Qershor 2025, 21:55 | Bota

Vogëlushja ukrainase me leukemi shkoi për t’u kuruar në

Një vajzë 7-vjeçare ukrainase, e cila kishte udhëtuar drejt Izraelit për të marrë trajtim kundër leukemisë pas sulmit rus ndaj vendit të saj, është vrarë nga një sulm ajror iranian në qytetin Bat Yam, në jug të Tel Avivit, të dielën. Lajmin e bëri të ditur Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, në një deklaratë në rrjetin X (ish-Twitter).

Viktima, Nastya Borik, ishte ardhur në Izrael në dhjetor të vitit 2022, së bashku me familjen e saj, pasi kishte nevojë për trajtim urgjent për leukemi akute. Sipas Herzog, Nastya u vra së bashku me pesë anëtarë të familjes: nënën Mariia (30 vjeç), gjyshen Lena (60), dhe dy kushërinjtë e saj, Ilya (13) dhe Konstantin (9). Autoritetet ukrainase konfirmuan vdekjen e pesë shtetasve të tyre, por nuk dhanë detaje të tjera, shkruan A2 CNN.

Presidenti Herzog tha se Nastya kishte filluar të tregonte përmirësime në trajtim, por sëmundja ishte rikthyer në formë agresive. Transplanti i palcës së kockave dështoi, dhe leukemia u rikthye edhe më e fortë. “Ajo erdhi për të kërkuar jetë. Por në vend të jetës, ajo u vra”, u shpreh Herzog.

Nëna e Nastya-s, Mariia Pieshkurova, dokumentonte rrugëtimin e vajzës së saj në Instagram, duke shpërndarë momente të dhimbshme dhe shpresëdhënëse. Ajo tregoi se Nastya u diagnostikua për herë të parë në gusht 2022. Në postimin e saj të fundit, më 27 maj, Mariia shkroi: “Do ta shpëtoj vajzën time, pa marrë parasysh çmimin… Sepse askush tjetër nuk do të luftojë siç luftoj unë. Sepse Nastya është jeta ime. Ajo është gjithçka që kam. Dhe për sa kohë që marr frymë, bërtas, lutem, besoj, luftoj”.

Presidenti Herzog tha gjithashtu se babai i Nastya-s, Artem Borik, është pjesëtar i ushtrisë ukrainase dhe aktualisht ndodhet në vijën e frontit, duke luftuar kundër forcave ruse. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos