“Ofensiva në Rafah çështje orësh!” Hamasi hedh poshtë propozimin amerikan për marrëveshje me Izraelin

Nga A2 CNN
3 Maj 2024, 19:19 | Bota

Ofensiva shkatërruese e Izraelit në Rafah është më afër se kurrë. E ndërsa Shtetet e Bashkuara po prisnin një përgjigje pozitive nga Hamasi për sa i përket realizimit të marrëveshjes për lirimin e pengjeve, organizata militante e ka hedhur poshtë propozimin duke mbajtur një qëndrim negativ për planin e Uashingtonit.

Lajmin e kanë bërë të ditur përfaqësues të lartë të Hamasit për mediat lokale, citon “New York Times”. 

“Qëndrimi për dokumentin aktual të negociatave është negative. Kjo nuk do të thotë se negociatat janë ndalur. Edhe nëse grupi nuk i pranon propozimet aktuale izraelite pa modifikim, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë negociatat”, shprehet Osama Hamdan, përfaqësues i Hamasit.

Sakaq, administrata e Presidentit amerikan Joe Biden po përballet me presion të fortë nga demokratët për të ndikuar tek Izraeli në mënyrë që ky i fundit të mos nisë një pushtim të plotë të Rafahut. 57 nga 212 demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve nënshkruan një letër duke i bërë thirrje administratës të marrë çdo masë të mundshme për të bindur qeverinë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nga një sulm i gjithanshëm në qytetin afër kufirit me Egjiptin. 

Mbështetja e Biden për Izraelin në luftën e tij kundër Hamasit është shfaqur si një përgjegjësi e rëndësishme politike për Presidentin, veçanërisht midis demokratëve të rinj. Ajo nxiti një valë protestash pro-palestineze në universitetet amerikane.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha gjatë vizitës në Jeruzalem se ende nuk kishte parë një plan për ofensivën e premtuar të Izraelit në Rafah që do të mbronte civilët, duke përsëritur se Uashingtoni nuk mund ta mbështeste një sulm të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos