Mes tensioneve, përplasjeve dhe hedhjes së flakadanëve nga opozita, mazhoranca vijoi miratimin e një sërë projektligjesh në Kuvend, njëri prej të cilëve kërkonte 84 vota. E domosdoshme për këto vota ishte edhe prania e kryeministrit Rama dhe ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Ata mbërritën në seancë për të miratuar projektligjin e ri për Bankën e Shqipërisë. Ndër të tjera ndryshime, ligji parashikon veshjen me imunitet si të deputetëve, edhe të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.
Mazhoranca e ka argumentuar ligjin si në përputhje me standardet që kërkon Bashkimi Europian në procesin e negociatave të anëtarësimit. Menjëherë pas miratimit të ligjit, kryeministri Rama u largua, duke e lënë parlamentin të mbuluar me tym.
Për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, sallën e la edhe deputetja Milva Ekonomi, e cila u paraqit vetëm sa për këtë votim. Mazhoranca vijoi me miratimin pa diskutime të pikave të tjera të rendit të ditës. (A2 Televizion)