Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i është nënshtruar në fund të gushtit një operacioni për të hequr qelizat kancerogjene nga lëkura.
Sipas të dhënave nga zëdhënësi i tij, 82 vjeçari Biden është duke u rikuperuar nga operacioni, i cili përdor një teknikë që përfshin heqjen e indeve kancerogjene shtresë pas shtrese derisa qelizat e sëmura të eliminohen plotësisht.
Kjo nuk është hera e parë që ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë i nënshtrohet një procedure të tillë.
Në shkurt të vitit 2023, ndërsa ishte ende në detyrë, një lezion kanceroz ishte hequr nga gjoksi i tij gjatë një ekzaminimi rutinë mjekësor. Biopsia zbuloi karcinomë bazale, një nga format më të zakonshme të kancerit të lëkurës.
Majin e kaluar, Biden zbuloi se ishte diagnostikuar me një formë "agresive" të kancerit të prostatës me "metastaza kockore". Ky tumor klasifikohet si 9 në shkallën Gleason, e cila vlerëson agresivitetin e kancerit të prostatës në një shkallë prej 10. (A2 Televizion)