Irani akuzon WhatsApp-in: Po ndan informacione me Izraelin. Kompania mohon

Nga A2 CNN
17 Qershor 2025, 21:03 | Bota

Irani akuzon WhatsApp-in: Po ndan informacione me Izraelin. Kompania mohon

Kompania Meta, pronare e platformave WhatsApp, Facebook dhe Instagram, ka reaguar pas akuzave të bëra nga qeveria iraniane, e cila u ka bërë thirrje qytetarëve të fshijnë aplikacionin WhatsApp, duke pretenduar se ai ndan informacione me Izraelin, shkruan A2 CNN.

Në një deklaratë zyrtare, Meta ka mohuar kategorikisht këto akuza, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të rrezikshme. “Jemi të shqetësuar se këto raporte të rreme mund të përdoren si justifikim për të bllokuar shërbimet tona, pikërisht në një kohë kur njerëzit kanë më shumë nevojë për to,” thuhet në deklaratë.

Meta thekson se mesazhet e dërguara përmes WhatsApp-it janë të mbrojtura me enkriptim nga fundi në fund, që do të thotë se vetëm dërguesi dhe marrësi mund t’i lexojnë ato. “Askush tjetër, përfshirë vetë WhatsApp-in, nuk ka qasje në këto mesazhe,” theksohet më tej.

Kompania gjithashtu sqaroi se nuk ofron informacion në mënyrë masive për asnjë qeveri. “Prej më shumë se një dekade, Meta ka publikuar raporte të rregullta transparence ku përshkruhen rastet shumë të kufizuara kur janë kërkuar të dhëna nga WhatsApp, sipas ligjeve të aplikueshme,” shtoi zëdhënësi i saj.

Ky reagim vjen në një kohë tensioni të lartë midis Iranit dhe Izraelit, me përplasje që shtrihen edhe në fushën kibernetike dhe të informacionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos