Mijëra palestinezë të sfilitur nga lufta janë zhvendosur duke ecur në këmbë drejt veriut përgjatë bregut të Gazës, duke u kthyer në shtëpitë e tyre të braktisura, falë armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA mes Izraelit dhe Hamasit.
Sipas mediave të huaja, lufta e cila ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz dhe ka lënë Gazën nën rrënoja, është drejt fundit.
Sipas marrëveshjes, trupat izraelite u tërhoqën nga zonat kryesore urbane, megjithëse vazhdojnë të kontrollojnë afërsisht gjysmën e enklavës.
Marrëveshja parashikon që qindra kamionë në ditë të hyjnë në Gaza, duke transportuar ushqime dhe ndihma mjekësore, shkruan A2 CNN.
“Jeta në Gaza është bërë e pamundur. Nuk ka asnjë mënyrë për të jetuar as për të rinjtë e as për të moshuarit. Uji, i cili është e vetmja gjë që i lejon njerëzit të jetojnë në një vend mungon... pra nuk ka ujë”, tha një grua në Gaza.
“Shtëpia ime, të cilën unë e ndërtova 40 vjet më parë, u zhduk në një moment. Nuk ka mbetur askush për mua. Të gjithë vëllezërit e mi janë zhdukur, martirizuar dhe të gjithë nipërit e mi janë martirizuar. Çfarë ka mbetur në botë? Vdekja është më e mirë se vështirësia në të cilën gjandemi ne tani”, tha mes të tjerash një burrë në Gaza, shkruan A2 CNN.
I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe Admirali Brad Cooper ishin në Gaza për të vëzhguar ridislokimin e ushtrisë dhe për të mbështetur përpjekjet e stabilizimit. SHBA nuk do të dislokojë trupa në enklavë.
Armëpushimi i Gazës shënon fillimin e një shkëmbimi të madh pengjesh, me 72 orë afat kohor për Hamasin. 20 pengjet izraelitë besohet të jetë ende gjallë. Pas lirimit të tyre, Izraeli do të lërë të lirë 250 të dënuar palestinezë dhe 1,700 të ndaluar gjatë luftës.
Presidenti Trump ka shprehur besimin se armëpushimi do të mbahet, por pranoi se pyetjet mbeten rreth fazave të mëtejshme të planit të tij prej 20 pikash, duke përfshirë se si do të qeveriset Rripi i shkatërruar i Gazës dhe cili do të jetë fati përfundimtar i Hamasit, i cili ka refuzuar kërkesat e Izraelit për t'u çarmatosur. Trump pritet të udhëtojë në rajon të hënën për të vizituar Izraelin dhe Egjiptin. (A2 Televizion)